Italia dhuron dy anije për të forcuar flotën detare të Policisë së Shtetit
di Redazione
11/02/2025
Siguria e hapësirës detare shqiptare forcohet me dy anije të reja të klasit “Vedeta 2000”, dhuruar nga Guardia di Finanza dhe Misioni Interforza për flotën e Policisë së Shtetit.
"Një moment i rëndësishëm për forcimin e sigurisë sonë detare, që vjen si rezultat i një pune të nisur prej korrikut të vitit të shkuar nën drejtimin e dy kryeministrave, Edi Rama dhe Giorgia Meloni , si dhe një ekipi të përbashkët të përbërë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, së bashku me partnerët tanë në bregun tjetër të Adriatikut, ministrat Salvini, Piantedosi dhe Crosetto." , shprehu Ministri Vengu.
Ky bashkëpunim ka sjellë dakordësinë për një protokoll të ri, i cili synon rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura Shqiptare. Nga njëra anë, ky hap forcon koordinimin dhe aftësitë operacionale të institucioneve të sigurisë, duke rritur efektivitetin e tyre në mbrojtjen e kufijve dhe hapësirës detare.
Nga ana tjetër, sfida kryesore mbetet zbatimi i suksesshëm i këtij protokolli, duke siguruar që burimet dhe infrastruktura e nevojshme të jenë të disponueshme për të maksimizuar përfitimet e bashkëpunimit. Ndërkohë, partneriteti mes Guardia Costiera-s, Rojës Bregdetare, Policisë Kufitare dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese vlerësohet si një shembull pozitiv i forcimit të sigurisë rajonale.
"Së bashku me Zëvendësministrin e Brendshëm, Julian Hodaj dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ishim të pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të mjeteve lundruese, një dëshmi e qartë e marrëdhënies së shkëlqyer dhe mbështetjes së vazhdueshme që Shqipëria ka marrë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, e në këtë rast nga Italia, e cila garanton angazhimin e përbashkët për forcimin e sigurisë kufitare dhe luftën kundër trafiqeve dhe kontrabandës që mund të kryhen përmes hapësirës detare."
Ai e mbylli me një falenderim për të gjithë italianët e pranishëm.
"Falënderim i veçantë për miqtë tanë italianë dhe të pranishmit në ceremoninë e dorëzimit të mjeteve, Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza, Gjeneralin Andrea De Gennaro, dhe Drejtorin e Emigracionit në Policinë Kufitare, Prefektin Claudio Galzerano."
Articolo Precedente
Hekurudha Tiranë-Durrës, Rama: Një lidhje e shpejtë me 11 stacione përgjatë rrugëtimit
Articolo Successivo
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, mirëpritet në Ulqin