Kampusi i ri i Akademisë i FA i ofron Shqipërisë modelin e njërës prej akademive më të njohura në SHBA, West Point
di Redazione
06/03/2025
Kampusi i ri i Akademisë së Forcave të Armatosura, që shtrihet në një sipërfaqe prej 10 hektarësh dhe po ndërtohet sipas modelit të akademisë së njohur në SHBA, West Point, është afër përfundimit të fazës së parë të projektit.
Dizajnuar sipas standardeve të NATO-s, kampusi do të ofrojë një gamë të gjerë mundësish moderne, përfshirë ndërtesa mësimore, konvikte, një qendër shëndetësore, kinematë, palestra, pishina të mbyllura, terrene sportive dhe hapësira për stërvitje ushtarake në natyrë, si poligone, pista vrapimi dhe kulla alpinizmi.
Në fazën e parë, Akademia do të mirëpresë 300 studentë, dhe do të ofrojë degë të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, me mundësi për diploma të përbashkëta me Universitetin Politeknik në disa fusha, si dhe marrëveshje binjakëzimi me akademitë e vendeve aleate të NATO-s.
Kryeministri Rama, së bashku me ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, vizituan sot kantierin për të ndjekur avancimin e punimeve.
“Në këtë repart të Tufinës, praktikisht jemi në një njollë prej 45 ha, 10 ha janë të dedikuara tërësisht për Akademinë e re të Forcave të Armatosura. Masterplani presupozon 3 faza, është duke u finalizuar pjesa e parë, e cila parashikon një objekt kryesor për fakultetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes që është shtylla kryesore e akademisë në fakt ku kemi rreth 300 studentë, të cilët do të akomodohen që në sezonin e ardhshëm me përfundimin e punimeve."
Përfundimi i punimeve parashikohet nga inxhinierët praktikisht brenda korrikut. Kemi rehabilituar tërësisht një godinë të vjetër të repartit ku do jetë dhe mensa, e cila ka të gjitha kapacitetet për tërësinë e stafit dhe tërësinë e personelit dhe të studentëve që në fazë të parë dhe do vijojnë pastaj me godinën kryesore, e cila është në përfundim e sipër. Masterplani parashikon në fazë të dytë edhe të gjithë elementët mbështetës, fushat sportive, konviktin, të cilin jemi duke i dizajnuar me arkitektët ndërkombëtare në mënyrë që e gjithë akademia të ketë mundësi pastaj që të rrisë edhe numrin e studentëve.”
Kryeministri Rama theksoi se, megjithëse afatet e parashikuara për përfundimin e plotë të kampusit janë të rëndësishme, ajo që ka prioritet është garantimi i cilësisë.
“Unë them në të gjitha rastet të kapim patjetër korrikun, por me cilësinë. Në tetor për vitin akademik mbase bëhet gati. Nuk duhet të nxitohemi, duhet bërë çdo gjë perfekt. Është gjithë ky investim, duhet të jetë perfekt. Arkitektura është e bukur, hapësirat janë të bukura, koncepti i brendshëm është i bukur. Unë them që 6 muaj të mira i do kjo që të jetë tamam.”-shprehu kryeminstri Edi Rama