Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

KLP vizitë në Këshillin Suprem të Magjistratëve në Paris

22/11/2024

KLP vizitë në Këshillin Suprem të Magjistratëve në Paris

Këshilli i Lartë i Prokurorisë realizoi me sukses një vizitë studimore në Këshillin Suprem të Magjistratëve dhe Ministrinë e Drejtësisë në Francë, Paris. Në këtë vizitë morën pjesë Kryetarja Mirela Bogdani, këshilltarë ligjorë, Sekretari i Përgjithshëm dhe anëtarë të stafit administrativ.

Vizita, e organizuar në bashkëpunim me programin EU4JUSTICE në Shqipëri dhe Expertise France, krijoi një mundësi të vlefshme për shkëmbim njohurish dhe zhvillim profesional. Gjatë takimeve me anëtarë aktualë dhe ish-anëtarë të Këshillit Suprem të Magjistratëve të Francës, delegacioni shqiptar thelloi njohuritë mbi parimet dhe praktikat institucionale të një prej sistemeve më të konsoliduara të drejtësisë në Evropë.

Në ditën e fundit të vizitës në Paris, delegacioni shqiptar u prit nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë së Francës. Gjatë takimeve, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë, Sekretariatit të Përgjithshëm dhe Këshillit Suprem të Magjistratëve. Delegacioni pati mundësinë të marrë një pasqyrë të detajuar mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë franceze, duke përfshirë procedurat dhe aktivitetet kryesore.
Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Bogdani shprehu falënderime të veçanta ndaj ekipit të EU4JUSTICE dhe Expertise France për mbështetjen dhe organizimin e kësaj vizite.

“Në emër të KLP-së, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia të sinqerta ndaj ekipit të EU4JUSTICE dhe Expertise France që bënë të mundur këtë vizitë studimore. Kjo vizitë përfaqëson një gur themeli për bashkëpunime të ardhshme mes sistemeve të drejtësisë të dy vendeve. Shkëmbimi i njohurive dhe praktikave të mira jo vetëm që rrit kapacitetet institucionale, por edhe forcon bazën për partneritete afatgjata që do të kontribuojnë në përpjekjet e Shqipërisë për integrim në BE,” , shprehu kryetarja Bogdani.