Konferenca “Gruaja, Paqja, Siguria” , Koçiu : Qeveria shqiptare me strategji të re për fuqizimin e grave
di Redazione
05/11/2024
Konferenca Kombëtare “Gruaja, Paqja, Siguria,” e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me UN Women, mblodhi sot zyrtarë të lartë dhe përfaqësues ndërkombëtarë për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e përfshirjes së grave në Axhendën e Paqes dhe Sigurisë, si dhe për prezantimin e Planit Kombëtar të Veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325 të OKB-së.
Në këtë Konferencë morën pjesë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ministri i Jashtëm, Igli Hasani, zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri, Michele Ribotta, Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Michel Tarran, përfaqësues nga Ambasada e Suedisë në Shqipëri, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
“Të njëjtat të dhëna tregojnë se vendet me nivel më të lartë të barazisë gjinore kanë shumë më pak gjasë që të përdorin forcën për të zgjidhur konfliktet e tyre. Ekziston një korrelacion i qartë midis gruas dhe paqes: Një ekuacion që thotë: Gruaja baraz paqe! Personalisht, ndihem vërtet e privilegjuar që jam pjesë e një prej të paktave kabineteve në botë që përbëhet me shumicë nga gratë. Shqipëria ka sot më shumë gra se kurrë më parë në Forcat e Armatosura, në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse, në diplomaci, në Policinë e Shtetit, si dhe në nivelet drejtuese”, shprehu ministrja.
Ministrja Koçiu theksoi gjithashtu gjetjet e progres-raportit të KE-së për Shqipërinë, i cili vlerëson progresin e rëndësishëm në zvogëlimin e hendekut gjinor.
“Mes të tjerave, progres-raporti ka evidentuar se pothuajse 2 nga 3 të punësuar në administratë gjatë 2024-ës janë vajza dhe gra. Si dhe gjithashtu ka evidentuar ngushtimin e mëtejshëm të hendekut si në punësim, ashtu edhe në diferencën e pagës”.