Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Konferenca “Menaxhimi i qëndrueshëm miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve të ngurta” u zhvillua sot nga Ministira Turizmit , KfW, SECO

20/11/2024

Konferenca “Menaxhimi i qëndrueshëm miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve të ngurta” u zhvillua sot nga Ministira Turizmit , KfW, SECO

Në Tiranë u organizua konferenca “Menaxhimi i Qëndrueshëm dhe Miqësor me Klimën në Sektorin e Mbetjeve të Ngurta”, ku u prezantua një program i përbashkët mes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Kooperacionit Zviceran (SECO). Ky program, i fokusuar në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve, zbatohet dhe monitorohet nga Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, theksoi se përvoja pozitive e bashkëpunimit me KfW në qarkun e Korçës duhet të shtrihet edhe në bashki të tjera në vend.

“Programi “Menaxhimi i qëndrueshëm miqësor me klimën në sektorin e mbetejve të ngurta” parashikon një innvestim që  bëhet nga Banka Gjermane dhe Kooperacioni Zviceran SECO, bashkë me Agjencinë Franceze për Zhvillim me të cilën kemi një tjetër program për ekonominë qarkulluese nga programet IPA të BE për të mbuluar me infrastrukturë qarkun e Kukësit dhe qarkun e Gjirokastrës. Ndërkohë që sot kemi pesë zona të tjera të menaxhimit të mbetjeve që do të mbulojmë me programin SECO dhe KfW: Durrës, Dibër, Korçë, Berat dhe një pjesë të Vlorës veriore”, tha Kumbaro në shoqëri të partnerëve ndërkombëtar.

Ajo gjithashtu shtoi se menaxhimi i efektiv i mbetjeve është një objektiv socialo-kulturor.

“Ne sot betejën e kemi me standardet, të cilat nuk arrihen as duke ndërtuar një agjenci, as duke pasur një drejtor, ekip apo duke marrë një kredi, por duke punuar me të gjithë shoqërinë dhe me të gjithë hallkat. Ndërkohë, krenohemi me shifrat, por sa më shumë shtohen turistët, aq më shumë shtohet problemi i menaxhimit të mbetjeve në territor. Një territor i pastër nuk mund të jetë me kosha të zbrazur dhe plehra të shpërndara. Territori o është i pastër, o nuk është i pastër. Pastërtia, mbrojtja e mjedisit, menaxhimi i mbetjeve, në radhë të parë është një revolucion. Një revolucion komunikimi, një revolucion social, një revolucion kulturor. Sot mblidhen mbi 85% të mbetjeve urbane”, vijoj Kumbaro.

Me një buxhet prej 66 milionë eurosh, programi synon zhvillimin e një infrastrukture moderne për menaxhimin e integruar të mbetjeve në qarqet Durrës, Dibër, Korçë, Berat dhe Vlorën-Veriore. Investimet përfshijnë ndërtimin e landfilleve urbane sipas standardeve europiane, landfille për mbetjet inerte, stacione transferimi, impiante për ndarjen e mbetjeve, qendra kompostimi dhe pajisje për grumbullimin e diferencuar. Këto masa synojnë reduktimin e mbetjeve fundore me 20%, duke theksuar proceset e riciklimit.