Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Ulqin hap dyert, Hasani: Perspektivë më e fortë për marrëdhëniet mes dy shteteve

07/04/2025

Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Ulqin hap dyert, Hasani: Perspektivë më e fortë për marrëdhëniet mes dy shteteve

Sot në Ulqin, Mali i Zi, u shënua një ditë historike, në qytetin i cili është i njohur për pasuritë e tij natyrore, historike dhe kulturore, ku u hap Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë.

Në këtë ngjarje, morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, diplomatë dhe qytetarë të Ulqinit.

Gjatë fjalimit të tij Hasani shprehu “në një kohë kur Shqipëria dhe Mali i Zi janë aleate dhe ndajnë një vizion të përbashkët për paqe, stabilitet dhe integrim evropian, ky hap përfaqëson një shtyllë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet – politik, ekonomik, kulturor dhe njerëzor. Do të jetë një nyje strategjike për të ndihmuar në forcimin e shkëmbimeve tregtare, promovimin e investimeve, dhe rritjen e mundësive për zhvillim të qëndrueshëm, veçanërisht në sektorë si turizmi, energjia dhe infrastruktura”

Gjatë vizitës në Ulqin, Hasani pati një takim me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, ku u shqyrtuan çështje të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, me fokus të veçantë në fushat e kulturës, arsimit dhe turizmit.

Në kuadër të vizitës, Hasani zhvilloi gjithashtu takime me liderë të partive politike shqiptare në Malin e Zi, ku u shkëmbyen ide dhe u diskutuan çështje të rëndësishme lidhur me situatën politike dhe zhvillimet rajonale.