Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Konsultimet Diplomatike Shqipëri-Rumani, një hap përpara në bashkëpunim dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta

27/03/2025

Konsultimet Diplomatike Shqipëri-Rumani, një hap përpara në bashkëpunim dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Megi Fino, zhvilloi një takim kortezie me Ministrin e Jashtëm rumun, z. Emil Hurezeanu, ku u diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, rajonal dhe shumëpalësh mes Shqipërisë dhe Rumanisë. Gjatë konsultimeve diplomatike, u vlerësua angazhimi i ndërsjellë për avancimin e agjendës së përbashkët mes dy vendeve.

Pas këtij takimi, znj. Fino zhvilloi konsultime të frytshme me Sekretaren e Shtetit për Çështjet e BE-së, znj. Clara Staicu. Diskutimet u përqendruan në zgjerimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor, si dhe në çështje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe sfidat aktuale në Ballkanin Perëndimor.

Delegacionet theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë për avancimin e prioriteteve të përbashkëta dhe riafirmuan angazhimin për thellimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Rumanisë. Konsultimet diplomatike mes dy vendeve konfirmuan frymën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për forcimin e partneritetit dhe adresimin e sfidave rajonale dhe globale.