Kryebashkiaku Erjon Veliaj në "Samitin e Kryebashkiakëve Europianë"
di Redazione
22/10/2024
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë sot në Samitin e Kryebashkiakëve Europianë, mbajtur në Strasburg, ku pati takime të rëndësishme me eurodeputetë dhe miq të Shqipërisë që mbështesin rrugën e vendit tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Veliaj shprehu entuziazmin e tij për mbështetjen e marrë nga eurodeputetët Dario Nardella, Raphael Glucksmann dhe Antonio Decaro, të cilët janë përkrahës të zjarrtë të Shqipërisë në përpjekjet për integrim në BE. Ai vlerësoi veçanërisht rolin e Nardellës, ish-kryebashkiak i Firences, që sot është një zë i rëndësishëm në Parlamentin Europian pro anëtarësimit të Shqipërisë.
“Sot në Strasburg, me miq të shkëlqyer të Shqipërisë si Dario Nardella, Raphael Glucksmann dhe Antonio Decaro, të cilët po na mbështesin fort në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. Jam i lumtur që Tirana ka miq si Dario e plot dashamirës të tjerë, që sot janë avoketër të Shqipërisë në vendimet e mëdha të BE-së, duke lënë në hije pakicat penguese,” theksoi Veliaj në një postim në rrjetet sociale.
Veliaj shtoi se mbështetja e këtyre personaliteteve dhe të tjerëve në Europë është kyçe për të kapërcyer pengesat e vogla që Shqipëria përballet në procesin e integrimit, duke i afruar vendin çdo ditë e më shumë me qëllimin e përbashkët: anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Gjatë vizitës së tij të shkurtër në Strasburg, Veliaj theksoi se takoi shumë miq të mirë të Tiranës dhe Shqipërisë, të cilët e shohin anëtarësimin e menjëhershëm të vendit tonë në BE si një domosdoshmëri. Ai gjithashtu vuri në dukje se, ndërsa një pakicë e sulmon Shqipërinë nga Tirana në Strasburg, mbështetja ndërkombëtare për vendin tonë mbetet e fuqishme.
Me angazhimin dhe përkrahjen e kryebashkiakëve dhe eurodeputetëve të mëdhenj si Nardella, Glucksmann dhe Decaro, Veliaj siguroi se Shqipëria do të vazhdojë përpjekjet e saj drejt një të ardhmeje europiane.