Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Kryeministri Rama dhe Ursula von der Leyen inagurojnë kampusin ‘Jacques Delors’ të Kolegjit të Europës në Tiranë

24/10/2024

Kryeministri Rama dhe Ursula von der Leyen inagurojnë kampusin ‘Jacques Delors’ të Kolegjit të Europës në Tiranë

Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, morën pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit të parë akademik të Kolegjit të Europës në Tiranë. Kampusi, i cili mban emrin e politikanit të njohur francez dhe ish-Presidentit të Komisionit Europian, Jacques Delors, u përurua me praninë e figurave të rëndësishme.

Rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini, e cila ishte gjithashtu e pranishme në ceremoni, theksoi interesin e lartë të të rinjve për të studiuar në këtë institucion. “Vitin e kaluar, në të njëjtin vend, gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor, përuruam zyrën tonë dhe hapëm pranimin e studentëve për degën e Kolegjit të Europës në Tiranë. Kemi marrë 241 aplikime, zhvilluam 122 intervista dhe përzgjodhëm 32 studentë nga 21 kombësi të ndryshme. Sot, këta studentë janë pionierët e parë të Masterit në artin e transformimit europian dhe integrimit, këtu në Kampusin Jacques Delors, në Tiranë,” tha Mogherini.

Kampi i ri i Kolegjit të Europës në Tiranë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përafrimit me standardet europiane. Ky zhvillim jo vetëm që fuqizon ndërkombëtarizimin e universiteteve tona, por gjithashtu hap një horizont të ri arsimor për të rinjtë shqiptarë.

Gjatë fjalimit të tij , kryeministri Edi Rama shprehu : "Sot, ne kremtojmë këtë moment të jashtëzakonshëm të takimit me studentët dhe profesorët e Kolegjit të Europës ballë për ballë vetëm dy vjet pasi kjo ide u hodh këtu në Tiranë kur zhvilluam Samitin midis BE dhe Ballkanit Perëndimor dhe për standardet e BE, dy vjet nga ideja deri tek realizimi është një arritje mjaft e madhe.Gjithçka nisi nga një bisedë midis meje dhe Presidentes von der Leyen dhe është një shembull që mund të përdoret për të treguar se ç‘gjë e jashtëzakonshme do të ishte nëse gjermanët e shqiptarët janë bashkë në Bashkimin Europian për të përshpejtuar shumë gjëra së bashku. Askush nuk do ta kish besuar që kjo do të ndodhte brenda një kohe kaq të shkurtër, por ja që ndodhi. Unë nuk besoj në rastësi. Për mua, nuk është rastësi që Kolegji e çel kampusin pikërisht në momentin kur Shqipëria çeli bisedimet për anëtarësim për grup kapitullin e parë të “Acquis” duke filluar pjesën më të vështirë të procesit për t’u bërë anëtare e BE."

Ndërsa Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen theksoj : "Ky qytet është pararoja e integrimit evropian dhe ju të dashur studentë, ju jeni udhëheqësit e Europës së sotme dhe të nesërme. Sivjet kjo ka për të qenë  një dritare për të ardhmen tuaj, për një të ardhme në të cilën shtetet e Ballkanit Perëndimor më në fund do të jenë anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian. Ashtu siç ndodhi edhe pas vitit 1989, historia evropiane po lëviz, por ama ka diçka të re kjo epokë në të cilën po jetojmë tani sepse atëherë në 1989, ndjesia që patëm ishte sikur bashkimi i kontinentit tonë ishte i paevitueshëm sepse ishte një nga ato forcat e pandalueshme të historisë të cilën brezi im e quajti “Era e Ndryshimit” dhe a mund ta ndryshojë apo ta ndalojë kush erën, ketë erë ndryshimesh, sepse sot kjo erë ndryshimesh po fryn këtu, por jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Ukrainë, Moldavi, Gjeorgji dhe gjithandej në kontinentin tonë, por ka edhe erëra të tjera që fryjnë në drejtime të kundërta; drejt ndasive, nacionalizmit, shtypjes."

Në përfundim të ceremonisë, mesazhet e fuqishme nga Kryeministri Rama dhe Presidentja von der Leyen theksuan rëndësinë e Kolegjit të Europës në Tiranë si një simbol i angazhimit të Shqipërisë për të përqafuar standardet europiane. Ky kampus jo vetëm që forcon lidhjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, por edhe përgatit një brez të ri liderësh të gatshëm të përballen me sfidat e integrimit dhe të ardhmen e përbashkët europiane.