Kryeministri Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit në Jeruzalem
di Redazione
07/04/2025
Në kuadër të vizitës së tij në Izrael, Kryeministri Edi Rama mori Medaljen Presidenciale të Nderit nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog. Ky nderim ka shpërblyer figura të shquara ndërkombëtare si Barack Obama, Angela Merkel, Elie Wiesel, Henry Kissinger dhe Joe Biden, të cilët kanë marrë më parë këtë medalje prestigjioze.
Kryeministri Rama mori Medaljen e Nderit gjatë një ceremonie të veçantë në Rezidencën Presidenciale në Jeruzalem, ku ishte i ftuar bashkë me bashkëshorten e tij, Linda Rama, dhe delegacionin shqiptar që e shoqëron në këtë vizitë.
"Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritetit ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës në emër të të gjithë njerëzimit në orët e tij më të errëta, gjatë Holokaustit."
"Populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kuraje. Me kurajë ata iu dhanë strehë grave, burrave hebrenj, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Evropës dhe duke e bërë këtë, ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qënieve njerëzore." - shprehu gjatë ceremonisë Presidenti i Izraelit Isaac Herzog.
Pas pranimit të Medaljes, Kryeministri Rama theksoi se e konsideron këtë nderim si një vlerësim për shembullin e shqiptarëve, të cilët nuk dorëzuan asnjë hebre tek nazistët. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e faktit që në Shqipëri nuk ka vend për asnjë formë të urrejtjes fetare apo etnike, përfshirë antisemitizmin.
"Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria u bë strehë për popullin hebre dhe ndryshe po kështu nga vendet e tjera, hebrejtë nuk largoheshin, por erdhën për të gjetur strehë, për të gjetur mbrojtje dhe për të qenë të sigurt."
"Nuk mundem të mos kujtoj këtu një prej shumë episodeve, të asaj faqeje të lavdishme të historisë sonë, kur të gjithë udhëheqësit fetarë u thirrën nga nazistët për të dhënë qasje për t’i dorëzuar arin shqiptar dhe listën e hebrejve dhe ata menjëherë thane: “Mund ta merrni floririn, po hebrenjtë janë tanët, do t’i mbrojmë”. Dhe ata nuk bashkëpunuan me nazistët dhe askush nuk e bëri këtë." - shprehu ndër të tjera kryeminstri vendit Edi Rama.
Articolo Precedente
Ibrahimaj: Përmirësimi i cilësisë dhe standardeve në sektorin e ndërtimit