Kryeminstri Rama në Kombinat për inspektimin e lagjes së re
di Redazione
24/02/2025
Procesi i rindërtimit vazhdon në Kombinat për familjet e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019. Përveç rikonstruksionit të banesave, puna përfshin edhe përmirësimin e hapësirave publike, duke përfshirë trotuaret, gjelbërimin, korsitë për biçikleta dhe parkimet, me qëllim kthimin e Kombinatit në një qendër moderne të kryeqytetit. Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin Blendi Gonxhja dhe kryetaren e deleguar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, inspektuan zonën e rindërtimit dhe morën pjesë në hedhjen e shortit për ndarjen e 500 apartamenteve të reja.
“Kemi bërë një plan për rigjenerimin urban të infrastrukturës të këtij blloku ku do i hyjmë gjithë lagjes. Ka pasur dhe shumë politikë brenda, janë bërë disa kërkesa padie e kjo ka bllokuar me vite. Kanë pranuar dhe transaksione e padi edhe pas datës së ngrirjes së çdo veprimi në këtë zonë, shitje e të tjera” , - shprehu minstri Gonxhja.
Kryeministri Rama u bëri thirrje qytetarëve të zonës të tregojnë durim, duke theksuar se investimi do të rezultojë në struktura më të qëndrueshme dhe cilësore, dhe ajo që është më e rëndësishmja, do të ofrohet falas.
“Kjo ka qenë një pjesë e betejës së gjithë Rindërtimit. Për fat të keq janë marrë peng disa zhvillime. Një pjesë i kemi kapërcyer nga gjykatës komplet të papërgjegjshëm. Edhe vonesa këtu në Kombinat e një pjese është e lidhur pikërisht me një lojë të bërë të individëve të caktuar me gjykatës dhe mashave politike që janë futur për ta penguar, sepse nëse do ishin bërë gjërat sipas kalendarit dhe pa këto pengesa, sot praktikisht gjithë investimi do kishte përfunduar. Mirëpo kjo është historia në këtë vend e në këtë qytet. Durim, sepse siç po e shihni, shtëpitë të gjithë po i merrni më të forta, më të mira, më të bukura se ato që i kishit dhe mbi të gjitha falas”, – theksoi Kryeministri.
Përveç 500 apartamenteve që po shpërndahen përmes shortit, puna vazhdon për pjesën tjetër të projektit, i cili do të ofrojë strehim për të gjitha familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit.