Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Kuvendi miratoi ligjin për rezervistët , Vengu : Trajnime ushtarake , misione humanitare dhe civile

20/12/2024

Kuvendi miratoi ligjin për rezervistët , Vengu : Trajnime ushtarake , misione humanitare dhe civile

Kuvendi miratoi me 74 vota pro ligjin “Për Organizimin dhe Funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë”.

Ligji synon rikthimin e rezervistëve në Forcat e Armatosura, duke arritur deri në 20% të forcës aktive, që përkthehet në rreth 2100 persona brenda 5-6 viteve të ardhshme.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend para votimit, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, prezantoi para deputetëve ndryshimet dhe përfitimet që ky ligj pritet të sjellë në strukturën e Forcave të Armatosura.

“Shërbimi rezervist është një shërbim vullnetar dhe do të jetë një komponent i mirëintegruar me forcën aktive, në funksion të rritjes së gatishmërisë dhe efikasitetit të mobilizimit të Forcave të Armatosura, në misione ushtarake, humanitare, apo civile, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ky shërbim do të ofrojë një fleksibilitet operacional duke mundësuar mobilizim të shpejtë gjatë krizave ose emergjencave.“ , shprehu ministri.

Ministri i Mbrojtjes dha më shumë detaje lidhur me shtetasit që mund të përfshihen në këtë shërbim, kohëzgjatjen e angazhimit të tyre dhe trajtimin financiar gjatë periudhës kur do të jenë nën armë.

Kanë të drejtë t’i bashkohen forcës rezerviste shtetasit shqiptarë, që nuk janë të dënuar me burgim me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Mosha maksimale për t’u bërë pjesë e forcës rezerviste është 50 vjeç për ushtarët/detarët, 55 vjeç për nënoficerët dhe 60 vjeç për oficerët."

"Kohëzgjatja e shërbimit si rezervist është nga 14 ditë deri në 45 ditë në vit, por edhe më gjatë në rast se kërkohen stërvitje më specifike, pjesëmarrje në operacione apo misione ndërkombëtare të drejtuara nga OKB/NATO/BE, në operacione apo misione humanitare apo në operacione në mbështetje të Mbrojtjes Civile."

Shpenzimet financiare ndaj rezervistëve reflektojnë trajtimin më dinjitoz që kemi ndaj të gjithë komponentit ushtarak në detyrë, pasi paga mesatare për 11 kategori është 97.300 lekë dhe paga ditore e pjesëtuar me 22 ditë është afërsisht 4.600 leke/ditë për ushtarak.” , theksoj më tej Pirro Vengu.

Shërbimi rezervist në Forcat e Armatosura do të nisë në vitin 2025 me krijimin e një kompanie dhe do të zgjerohet gradualisht, duke arritur deri në katër kompani deri në vitin 2030.