Lirimi i hapësirave publike në Tiranë, në fokusin e vëmendjes së Ramës
di Redazione
21/07/2025
Kryeministri Edi Rama ka pranuar se shqetësimi më i madh që qytetarët i kanë shprehur në terren, në çdo cep të kryeqytetit, është pushtimi i hapësirave publike nga aktivitetet tregtare dhe ndërtimet pa kontroll.
Në një bashkëbisedim online me ndjekësit e tij, Rama u ndal posaçërisht te kjo çështje, duke e konsideruar si “kërkesën numër një” që i është përsëritur nga komuniteti tiranas.
“Praktikisht kam mundur të shoh dhe të kaloj në shumë territore të Tiranës që nuk i kisha parë prej kohësh, pasi nuk më kishte çuar puna. Kam vënë re dy gjëra që më kanë bërë shumë përshtypje: transformimi pozitiv që ka pësuar Tirana në territore deri shumë periferike që në kohët e mëparshme kanë qenë shumë larg parametrave më të thjeshtë të imunizimit, por edhe negative në aspektin e një ekspansioni”, tha Rama.
Ai pranoi se shumë biznese e kanë tejkaluar çdo kufi duke shtrirë aktivitetin e tyre mbi trotuare, sheshe dhe zona që i përkasin të gjithëve.
“Këtë gjë e kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur edhe nga qytetarët e Tiranës, kjo ishte baza e një shqetësimi. Më pas ne nuk kemi ndenjur rehat por përkundrazi pak ditë pasi zgjedhjet përfunduan me një rezultat që ishte i jashtëzakonshëm, një rekord absolut por që vjen me një përgjegjësi shumë të madhe, kemi diskutuar për domosdoshmërinë që të kthehemi në territor dhe të shohim se çfarë shqetësimesh ka komuniteti, nga ato që i kemi dëgjuar pak ose mund të mos i kemi identifikuar”, shtoi ai.
Rama tha se kjo ishte hera e parë që mori pjesë në fushatën për Tiranën, çka e ka vendosur në kontakt më të afërt me realitetin në lagje dhe në zonat e anashkaluara të qytetit.
Në analizën e tij, mungesa e një drejtimi të qartë në kryeqytet ka lënë hapësirë për kaos dhe abuzim me territorin.
“Kjo në kushtet kur kemi pasur në Tiranë një situatë jo të zakonshme. Tiranës i mungon praktikisht drejtimi prej tanimë një kohe jo të shkurtër për një kryeqytet. Një histori tjetër për një ditë tjetër. Ndaj kemi riorganizuar tërësisht veten duke vendosur deputetët në një pozicion edhe më kërkues për sa i përket të qëndruarit afër dhe identifikuar problemet në territor”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se strukturat e Partisë Socialiste janë angazhuar me intensitet në lagje për të dëgjuar banorët dhe për të ndërtuar një plan veprimi që synon kthimin e hapësirave publike në funksion të komunitetit, jo të interesave të ngushta.
Articolo Precedente
Dita Botërore e Trurit : Kujdesi që nis nga mendja