Manastirliu : 650 shkolla do të kenë laboratorë për rritjen e aftësive digjitale të nxënësve
di Redazione
14/01/2025
Gjatë një vizite në shkollën “Tringe Smajli” në fshatin Grudë e Re, Shkodër, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e investimeve në arsimin digjital dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore. Ajo njoftoi se deri në vitin 2025, 650 shkolla do të pajisen me laboratorë inteligjentë, duke krijuar një rrjet të avancuar që nxit zhvillimin e aftësive digjitale të nxënësve në shkallë kombëtare.
“Një prej përpjekjeve tona të mëdha dhe investimeve të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim edhe me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit është pikërisht investimi për rritjen digjitale për nxënësit duke filluar nga klasa e parë. Jam e kënaqur që tashmë dy fazat kanë përfunduar me sukses të shtrirjes së rreth 300 laboratorëve inteligjentë në shkolla, përgatitemi në këto dy vite për plotësimin e të gjitha shkollave me laborator inteligjent,” , shprehu Manastirliu.
Gjatë vizitës së saj në laboratorin inteligjent të shkollës “Tringe Smajli,” ministrja vlerësoi arritjet e nxënësve në përdorimin e teknologjisë për kodim, siguri kibernetike dhe projekte inovative, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes së brezave për sfidat e së ardhmes.
“Në shkollën ‘Tringe Smajli’ ky laborator tashmë është funksional, nxënësit janë duke mësuar nëpërmjet kodimit, por edhe përsa i përket mbrojtjes, sigurisë kibernetike dhe informacioneve që ju jepni përmes projekteve. Ne do të vijojmë të rrisim investimet në infrastrukturë shkollore dhe planifikojmë që këtë vit, edhe në Shkodër, të hapim projekte të reja për përmirësimin e infrastrukturës shkollore,”, tha Ministrja Manastirliu.
Shkodra vazhdon të jetë një pikë kyçe për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, me fokus në avancimin e infrastrukturës arsimore dhe sportive. Ministrja Ogerta Manastirliu njoftoi se për vitin 2025 janë planifikuar 600 milionë lekë për projekte të dedikuara Shkodrës, ndërsa investimet arsimore në rang kombëtar do të kalojnë shumën prej 3 miliardë lekësh.
“Janë mbi 3 miliardë lekë të parashikuara në buxhetin e 2025 për investimet në vazhdim, sa i përket gjithë infrastrukturës së objekteve shkollore, qoftë në arsimin 9-vjeçar, qoftë në të mesëm dhe gjithashtu për smartlabet. Duam që në këto dy vite të ardhshme të shtrihemi në 615 shkolla për të garantuar që këto investime t’i shërbejnë rritjes së aftësive digjitale, por gjithashtu edhe rritjes së aftësive në lëndët STEM, matematikë, shkenca ekzakte, gjuhën shqipe dhe gjuhët e huaja,” deklaroj Ministrja.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ritheksoi përkushtimin e qeverisë për modernizimin e arsimit në Shqipëri, duke e përshtatur me standardet e shekullit XXI dhe duke u fokusuar në përgatitjen e brezave të rinj për sfidat e së ardhmes.
Articolo Precedente
Firmoset marrëveshja për përshpejtimin e procesit të pajisjes me dokumenta biometrikë
Articolo Successivo
Modernizimi i infrastrukturës së FA , Vengu : Me standartet e NATO-s