Manastirliu: Bursat e AADF, një nxitje për cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri
di Redazione
20/05/2025
Është prezantuar Programi i ri i Bursave i AADF, një iniciativë që synon të rrisë cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri dhe të krijojë mundësi konkrete për të rinjtë që të studiojnë brenda vendit dhe në universitete të njohura ndërkombëtare.
Programi mbështet studentët e nivelit bachelor në universitetet shqiptare me programe të përbashkëta apo ndërkombëtare, si dhe ata që ndjekin studime master në universitetet më të mira në SHBA.
Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Nancy VanHorn, kreu i Bordit të AADF, Michael Granoff, bashkëdrejtorët ekzekutivë Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, si edhe studentë e pedagogë.
Ministrja Manastirliu theksoi se ky program ka potencialin të sjellë një ndikim transformues në sistemin arsimor shqiptar, duke kontribuar në zhvillimin afatgjatë social dhe ekonomik të vendit.
“Kjo nismë përputhet në mënyrë të përkryer me vizionin strategjik të qeverisë shqiptare për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë dhe forcimin e ekselencës akademike në vendin tonë. Ky program është krijuar për të ofruar mbështetje për studentët shqiptarë që zgjedhin të ndjekin studimet në universitetet shqiptare që ofrojnë programe dhe diploma të dyfishta, si dhe ata që aspirojnë të vazhdojnë studimet në nivelin master." - shprehu minstrja Manastirliu.
Në përmbyllje të fjalës së saj, Ministrja Ogerta Manastirliu theksoi se ndërkombëtarizimi i universiteteve shqiptare mbetet një prioritet i qeverisë, me synimin për të krijuar më shumë mundësi studimi për të rinjtë brenda vendit.
"Qeveria shqiptare e ka prioritet kombëtar ndërkombëtarizimin e arsimit. Ne jemi të përkushtuar të krijojmë më shumë mundësi për programe të përbashkëta për diploma të dyfishta dhe partneritete të forta me institucionet kryesore ndërkombëtare. Ky angazhim reflektohet në disa momente si: hapja e kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë, që shënoi një pikë kthese në bashkëpunimin akademik mes Shqipërisë dhe institucioneve të BE-së; nisja e kampusit të Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë (UNED) të Spanjës në Gjirokastër, që zgjeron aksesin në mësimin në distancë dhe ekselencën akademike; si dhe ngritja në të ardhmen e një kampusi të ri të Universitetit të Teknologjisë së Compiègne të Francës (UTC) dhe Universitetit Politeknik të Tiranës."