Manastirliu në shkollën "Kosova" takim me prindërit për kufizimin e rrjeteve sociale
di Redazione
03/12/2024
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, zhvilloi sot një tjetër takim këshillimi me komunitetin e prindërve, këtë herë në shkollën “Kosova” në Tiranë. Gjatë bisedës me komitetin e prindërve të kësaj shkolle, përfaqësues të këshillave të prindërve në nivel klase dhe shkolle, u diskutuan tema të rëndësishme që prekin mirëqenien e fëmijëve.
Në fokus të takimit ishte ndikimi i rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat te fëmijët dhe të rinjtë. Ministrja theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit mbi rreziqet dhe pasojat e përdorimit të pakontrolluar të këtyre platformave.
Gjithashtu, Manastirliu trajtoi çështje që lidhen me ndikimin e teknologjisë në procesin edukativ dhe vuri theksin te masat që duhen marrë për të garantuar sigurinë e fëmijëve në një mjedis gjithnjë e më të digjitalizuar.
“Ne kemi nisur një tur të komunikimit në të gjitha shkollat tona për të adresuar çështjet që lidhen me sigurinë e fëmijëve brenda dhe jashtë shkollës. Një prej shqetësimeve më të mëdha për prindërit është ndikimi negativ i platformave si TikTok dhe Snapchat mbi sjelljet dhe reagimet e fëmijëve, sidomos në grupmoshat më të vogla. Aksesi në teknologjinë digjitale është gjithnjë në rritje, duke kërkuar një angazhim të përbashkët nga familja, shkolla dhe komuniteti për të rritur vigjilencën në të gjitha hapësirat ku fëmijët qëndrojnë, mësojnë dhe luajnë.”
Ministrja theskoj dhe për masat konkrete që po merren për këtë problematik , “Në këtë drejtim, kemi ngritur një rrjet mbrojtës që përfshin familjen, prindërit, mësuesit, psikologët dhe oficerët e sigurisë në shkolla. Falë këtyre mekanizmave, gjatë vitit shkollor 2023-2024 janë raportuar dhe parandaluar 2030 raste të dhunës dhe bullizmit kibernetik. Për të fuqizuar më tej këtë rrjet ne tashmë jemi duke vlerësuar paketën e protokolleve të punës. Jemi duke punuar, ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre viteve, për të rritur numrin e punonjësve socialë, psikologëve dhe oficerëve të sigurisë në shkolla. Po ashtu, jemi duke punuar që, në kuadër të angazhimeve të reja dhe planit buxhetor, të rriten këto numra, duke pasur në vëmendje efektivitetin maksimal. Kjo do të realizohet përmes një angazhimi të përbashkët mes mësuesve, oficerëve të sigurisë dhe psikologëve në shkolla. Për këtë arsye, do të kemi edhe një trajtim të posaçëm nga pikëpamja e informacionit digjital për prindërit, lidhur me këto role të rëndësishme në shkollë.”
Ministrja Manastirliu foli dhe për ndikimin e teknologjisë për kontrollin e prindërve në perfomancen e fëmijëve gjatë gjithë ciklit shkollor , “Platforma si e-Albania dhe sistemi SMIP janë shembuj konkretë se si teknologjia mund të shërbejë për informimin e prindërve mbi ecurinë akademike të fëmijëve, sjelljet dhe prirjet e tyre. Jemi duke punuar për ta bërë këtë sistem edhe më interaktiv, duke siguruar që informacionet të transmetohen në kohë reale mes prindërve, mësuesve dhe oficerëve të sigurisë. Kjo do të ndihmojë jo vetëm për të monitoruar performancën akademike, por edhe për të identifikuar dhe adresuar shqetësimet që mund të lindin.”
Ministrja theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucione të ndryshme për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga rreziqet e internetit.
“Kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara në adresimin e përmbajtjeve të papërshtatshme online përmes instrumentave të zhvilluar nga Autoriteti për Mbrojtjen Kibernetike (ACESK). Ky autoritet ka siguruar një ecuri të mirë në raportimin dhe mbylljen e faqeve apo profileve të papërshtatshme bazuar në denoncimet që na kanë ardhur. Gjithashtu, linjat telefonike ALI 111 dhe 116, të mbështetura nga MSHMS, janë krijuar për të trajtuar rastet e dhunës, bullizmit dhe çdo formë tjetër abuzimi. Këto linja kanë luajtur një rol të rëndësishëm, duke bërë të mundur raportimin dhe parandalimin e rreth 7,000 rasteve të bullizmit online deri më tani.”
Articolo Precedente
Armand Duka merr pjesë në mbrëmjen gala të Federatës Bullgare për 100-vjetorin e themelimit
Articolo Successivo
Shqipëria pjesë e Këshillit Global të Turizmit të Qëndrueshëm (GSTC)