Marrëveshja e bashkëpunimit me “San Raffaele”, Koçiu: Synimi ynë është ta kthejmë QSUNT-në në një nga qendrat shëndetësore më të avancuara në Ballkanin Perëndimor
di Redazione
28/04/2025
Një marrëveshje e rëndësishme për shërbimin shëndetësor shqiptar, veçanërisht për QSUT-në dhe Universitetin e Mjekësisë, do të sjellë partneritet strategjik me qendrën spitalore universitare “San Raffaele” dhe universitetin “Vita-Salute San Raffaele”. Ky bashkëpunim i lejon këto institucione shqiptare të bëhen pjesë e eksperiencës dhe praktikës së një qendre europiane ekselence, duke ofruar standarde të larta në kujdesin dhe arsimin mjekësor.
“Ku morëm detyrën buxheti i shëndetësisë ishte vetëm 250 milionë euro, sot me rritjen dhe të pjesën e rritjes së Mbrojtjes Sociale është një buxhet historik prej 1 miliard eurosh. Kjo do të thotë më shumë mundësi për punë, më shumë shërbime, më shumë investime dhe pa diskutim shërbim shëndetësor më cilësor. Kemi investuar gjatë këtyre viteve dhe kemi ndërtuar plot 53 shërbime dhe spitale prej të cilave 10 janë të ndërtuara tërësisht nga e para. Gjithashtu investimet janë shtrirë edhe në shërbimin parësor duke ndërtuar plot 400 qendra shëndetësore në mbarë vendin dhe duke transformuar mënyrën me të cilën ofrohen shërbimi shëndetësor në kujdesin shëndetësor parësor”- u shpreh Koçiu.
Koçiu theksoi gjithashtu se ky bashkëpunim do të përfshijë programe të specializuara trajnimi për stafin akademik dhe shëndetësor, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, duke nxitur inovacionin në sektorin e shëndetësisë.
“Ajo që ne synojmë është që QSUNT të shndërrohet në një nga qendrat më të avancuara në shërbimin shëndetësor në Ballkanin Perëndimor. Të jetë një qendër që nuk është vetëm një qendër graviteti, por një qendër e një sistemi modern, efikas dhe akoma më shumë profesional”- përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.