Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Arsimit Paraunivesitar, Manastirliu: Rrugëtimi drejt modernizimit të kornizës kurrikulare.

24/10/2024

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Arsimit Paraunivesitar, Manastirliu: Rrugëtimi drejt modernizimit të kornizës kurrikulare.

Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar, nën udhëheqjen e Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi mbledhjen e tij të parë për vitin shkollor 2024-2025. Gjatë kësaj mbledhjeje u paraqitën masat e ndërmarra për të siguruar një vit shkollor të suksesshëm, si dhe disa nisma të reja nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Një prej tyre është dokumenti i ri për Modernizimin e Kornizës Kurrikulare të Arsimit Parauniversitar, i punuar nga një grup ekspertësh të fushës, i fokusuar në përgatitjen e nxënësve për t'u përgjigjur zhvillimeve dhe kërkesave të shoqërisë, si dhe standardeve të arsimit të shekullit XXI.

Ministrja Manastirliu theksoi se të gjitha këto përmirësime në Kornizën Kurrikulare janë të domosdoshme për të siguruar që fëmijët dhe të rinjtë të dalin të përgatitur dhe të aftë nga shkolla, duke iu përgjigjur sfidave të kohës.

“Tashmë jemi në finalizim të modernizimit të Kornizës Kurrikulare, një dokument i cili orienton vëmendjen drejtë sfidave të kohës, përafron kornizën kurikulare me modelet më të mira në vendet e zhvilluara, vendos kompetenca të reja që duhet të marrin nxënësit, por edhe në funksion të mësuesit që do të duhet të kenë të gjithë ekspertizën e tyre përmes edukimit në vazhdim për ti transmetuar të nxënësit njohuritë në mënyrë sa më të mirë por edhe me metoda modern dhe inovatore duke përdorur dhe platforma digjitale”, – shprehu Ministrja Manastirliu.

Përditësimi i Kornizës Kurrikulare të Arsimit Paraunivesitar dhe i kurrikulave bërthamë sjell nevojën për rinovimin e programeve të lëndëve, me theks në zhvillimin e kompetencave kyçe në gjuhë, matematikë dhe teknologji digjitale.

“Sa i përket teksteve, kemi nevojë t’i dedikojmë akoma më shumë rëndësi programeve lëndore dhe kurrikulës bërthamë sa i përket Gjuhës Shqipe, Matematikës, aftësive digjitale pra TIK-ut dhe sigurisht shkencave”,- shprehu gjithashtu Ministrja Manastirliu.

Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar, përfaqësuar nga aktorë të arsimit parauniversitar, prindër, sindikata dhe përfaqësues të arsimit të lartë, ka vlerësuar pozitivisht propozimet për modernizimin e Kornizës Kurrikulare të Arsimit Parauniversitar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, së bashku me strukturat e saj arsimore.

Risitë e përfshira në kornizën kurrikulare të përditësuar do të sjellin përmirësimin e kompetencave kyçe për të nxënit gjatë gjithë jetës, integrimin dhe përshtatjen e kurrikulës me zhvillimet e reja teknologjike, krijimin e një programi të avancuar për matematikën dhe shkencat, rritjen e peshës së kurrikulës bazë në shkollë, si dhe udhëzime metodologjike për të nxënit dhe vlerësimin e nxënësve në përputhje me sistemet e vlerësimit si PISA, TIMSS, PIRLS dhe orientimin në karrierë.