Mbledhja Ndërkombëtare Diskuton Sfidat dhe Synimet e Reformës së Pensioneve për “Shqipërinë 2030”
di Redazione
05/02/2025
Sot u mbajt Konferenca Ndërkombëtare mbi sfidat dhe objektivat e reformës së re të sistemit të pensioneve për “Shqipërinë 2030”. Në këtë event morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, si dhe përfaqësues të lartë nga institucionet financiare ndërkombëtare, ekspertë të fushës dhe aktorë të tjerë kyç në këtë proces reformues.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri theksoi se synimi është që dy shpërblimet, ai i fundvitit dhe ai i pranverës, të vijojnë të jepen edhe në vitet e ardhshme për pensionistët.
"Kur vjen puna tek pensionet, të gjithë ata që nuk kanë asgjë në dorë premtojnë gjithçka të dëshirueshme dhe të imagjinueshme. Të premtosh do të thotë t’i hapësh luftë fakteve, t’i kthesh kurrizin eksperiencës dhe të hidhesh symbyllur drejt një humnere, do të thotë që “hajde të bëjmë një ditë festë me gjithçka kemi dhe nesër le të bëhet qameti”. Ne do të ecim paralelisht me bonueset që janë rritur në mënyrë të ndjeshme që janë rritur në aspektin sasior dhe në aspektin e kohës së dhënies së tyre. Kemi kaluar 2 bonuese, një në fundvit dhe një në pranverë. Duam që këto bonuese të vazhdojnë dhe pensionistët të marrin pjesë në shpërndarjen e fryteve të rritjes."
Më tej, Kryeministri Rama theksoi se reformimi i skemës së pensioneve është një proces afatgjatë, i ngjashëm me një maratonë dhe jo një garë sprinti.
"Duam që të bëjmë një akselerim pa prishur themelet që ka sistemi. Kemi akoma hapësirë të konsiderueshme në luftën kundër informalitetit të pagave. Ka një ndryshim të rëndësishëm sepse edhe pas gjithë procesit të komunikimit që kemi pasur, është konstatuar një rritje e pagave të deklaruara dhe kontributeve, ka akoma hapësirë për të marrë më shumë. Reformimi i skemës së pensioneve është maratonë, nuk është sprint. Sot, që nga 1 Shkurti jemi vendi i vetëm në vitet e fundit në këtë rajon që kemi ulur çmimin e energjisë që është diçka qe vjen si rezultat i gjithë punës së bërë. Jam besimplotë që ne do të arrijmë të adresojmë këtë problematikë me të gjithë maturinë."