"Mbretëresha Geraldinë" , marteniteti i ri me infrastrukturë Europiane
di Redazione
30/01/2025
Një nga investimet më domethënëse në infrastrukturën spitalore të kryeqytetit po shkon drejt përfundimit të plotë. Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, një institucion me rëndësi jo vetëm për shërbimin e tij – duke pritur rreth 20 mijë pacientë në vit – por edhe për vlerën historike të ndërtesës, është tashmë në fazën përfundimtare të rindërtimit. Projekti përfshin jo vetëm rikonstruksionin e strukturës ekzistuese, por edhe zgjerimin e kapaciteteve me një godinë të re, të pajisur me teknologji sipas standardeve europiane.
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot ambientet e reja të maternitetit, ku pritet të hapet së shpejti një pjesë moderne e kompleksit, e pajisur me kushte optimale dhe aparatura të avancuara, ndërkohë që do të nisë edhe procesi i rindërtimit të objektit të vjetër.
Infrastruktura e re do të ofrojë një rritje të ndjeshme të kapaciteteve, duke dyfishuar numrin e shtretërve në terapinë intensive dhe duke vënë në dispozicion 360 shtretër për pacientët. Ajo do të përfshijë gjithashtu 7 salla operacioni dhe 6 salla lindjeje, një sallë urgjence me kushte optimale për triazhin, si dhe një shërbim të modernizuar të neonatologjisë. Po ashtu, do të krijohet një Qendër e re e Prematuritetit, e dedikuar për kujdesin ndaj nënave me shtatzëni të rrezikuar dhe foshnjave të lindura para kohe.
“Rikonstruksioni i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” po realizohet me dy faza. Faza e parë që ka të bëjë dhe me ndërtimin e godinës kryesore, diku tek 6000 metra katrorë ka përfunduar në fund të vitit që shkoi, ndërkohë që ka filluar rikonstruksioni i fazës së dytë me ambientet e shërbimit të neonatologjisë."
"Ndërkohë që këtu në godinën e re, tre kate mbi tokë dhe një kat nën tokë janë shërbimet kryesore; shërbimi i obstetrikë dhe gjinekologjisë, ndërkohë që kemi edhe shërbimin e imazherisë, kemi qendrën e gruas në krah të majtë që është e gjitha e ndërtuar e re, ndërkohë që shërbimi i urgjencës së bashku me triazhin organizohen në katin e parë."
"Në katin e dytë kemi të organizuar shërbimin e obstetrikës. Godina e re ka 6 salla operacioni dhe 7 salla lindjeje. Kemi dyfishuar kapacitetet. Nga 260 shtretër që janë aktualisht, kapacitetet e shtretërve janë rritur në 360. Secili nga shërbimet ka edhe shërbimin intensiv. Ndërkohë që punimet priten të përfundojnë brenda këtij viti, së bashku të dyja fazat, së bashku me mobilimin dhe me pajisje të teknologjisë së lartë. Është një investim i buxhetit të shtetit." , shprehu Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
“Aty po bëjmë shërbimin e neonatologjisë dhe kështu kompletohet i gjithë korpusi spitalor, këtu ndërkohë që tek faza e dytë, krahas shërbimit të neonatologjisë, kemi qendrën e prematuritetit e ndarë në dy klinika; klinika për nënat që kanë risk të lartë gjatë shtatzënisë dhe me klinikën për fëmijët që lindin prematur. Për hir të vërtetës, është qendër e re që krijohet këtu dhe vjen si rezultat edhe i shtimit dhe organizimit të ambienteve të reja."
"Ndërsa drejtuesja e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dr. Eliona Demaliaj tha se mjekët dhe infermierët në shërbimin e obstetrikës do të punojnë me kushte nga më optimalet. “Këtu jemi në shërbimin e obstetrikës në të cilën, ne, për herë të parë do të punojmë në kushte të mrekullueshme si mjekët, ashtu dhe infermierët. Sallat e lindjes do të jenë me kushte bashkëkohore. Këtu janë të organizuara sallat e operacionit. Këtu kemi 3 salla operacioni me kushte bashkëkohore dhe të teknologjisë së lartë. Presim të pajisje të cilat do të vijnë së shpejti.”