MBZHR : Rastet e murtajës afrikane të derreve prej 25 nëntorit janë 0
di Redazione
16/12/2024
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të programit për transparencë dhe komunikim me publikun, njofton se që prej datës 25 nëntor 2024, nuk janë raportuar raste të reja ose dyshime për Murtajën Afrikane të Derrave. Pas marrjes së njoftimit për ngordhjen e disa derrave të egër në fshatin Mal i Rrencit, Njësia Administrative Shëngjin, Lezhë (në zonën e Kodrës së Zezë, koordinatat 41.82835 gjatësi dhe 19.57711 gjerësi), grupi i punës i ngritur nga DRVMB Shkodër dhe Qarku Lezhë ka kryer menjëherë verifikimin e informacionit.
Shërbimi Veterinar reagoi menjëherë duke kontaktuar Shoqatën e Gjuetarëve dhe, pas mbërritjes në vendngjarje, grupi i kontrollit realizoi marrjen e mostrave në përputhje me procedurat teknike. Mostrat u dërguan për analiza në ISUV. Njëkohësisht, u krye groposja e kadavrave dhe mbetjeve të tyre, si dhe dezinfektimi i zonës përreth.
Për zbulimin e hershëm dhe kufizimin e përhapjes së sëmundjes, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka përcaktuar zona mbrojtjeje dhe mbikëqyrjeje brenda rrezes prej 3 km dhe 10 km.
Gjatë periudhës 21-ditore të karantinës, Drejtoria e Përgjithshme e këtij autoriteti zhvilloi takime të rregullta me përfaqësuesit e Pushtetit Vendor, Shoqatën e Gjuetarëve, Agjencinë e Zonave të Mbrojtura dhe Agjencinë e Mjedisit për të siguruar informimin dhe koordinimin mbi situatën.
Gjatë kësaj periudhe, pesë grupe pune monitoruan përditë situatën në terren, duke kontrolluar 107 mjete transporti për lëvizjen e kafshëve të gjalla, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
U mbikëqyrën 976 ferma me gjithsej 1425 krerë, nga të cilët 493 derra u matrikulluan. Gjatë procesit të inventarizimit, u identifikuan 33 ferma të reja, që përfshinin 121 krerë derra dhe 24 dosa.
Në zonën e mbrojtur (vatra dhe zona tampon), inventarizimi përfundoi më 30 nëntor 2024, ndërsa kontrolli ditor vijoi për të identifikuar ngordhje të reja ose kafshë me shenja klinike. Situata rezulton e qëndrueshme, dhe duke nisur nga sot, zona del nga gjendja e karantinës.
Pavarësisht zgjidhjes së shpejtë dhe parandalimit efikas të rastit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural udhëzon fermerët në gjithë vendin të zbatojnë masa të biosigurisë në fermat dhe mjediset ku mbarështojnë derra. Po ashtu, ata duhet të sigurohen që blerja dhe lëvizja e derrave të realizohen vetëm pas autorizimit nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit, me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve.