Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Ministri Hasani në Kiev : Shqipëria mbështetëse e pa lëkundur e Ukrainës

17/01/2025

Ministri Hasani në Kiev : Shqipëria mbështetëse e pa lëkundur e Ukrainës

Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, ndodhet sot në Kiev, Ukrainë, për një vizitë pune, ku po merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm në kuadër të formatit “Ukrainë – Evropa Juglindore”.

Ky takim përfaqëson një ngjarje të rëndësishme për thellimin e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe të sigurisë midis Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore. Ai ofron një platformë për diskutime të hollësishme mbi zhvillimet aktuale në rajon dhe për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjes reciproke në një periudhë sfiduese si për Ukrainën ashtu edhe për rajonin më gjerë.

Organizuar me iniciativën e Ukrainës, ky takim zhvillohet në një moment vendimtar për Ukrainën dhe Evropën, duke pasur si sfond agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore shprehën njëzëri dënimin e ashpër ndaj agresionit ushtarak rus dhe riafirmuan mbështetjen e tyre të plotë për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Takimi synon të forcojë bashkëpunimin politik ndërmjet Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore, duke u fokusuar në sfidat aktuale politike, ekonomike dhe të sigurisë që po përballen rajoni dhe Ukraina.

Shqipëria, e cila mbetet një mbështetëse e vendosur e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, do të riafirmojë angazhimin e saj për paqe, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajon.

Gjatë kësaj vizite pune, Ministri Hasani do të zhvillojë takime me homologun e tij ukrainas, Ministrin e Punëve të Jashtme, z. Andrii Sybiha. Gjithashtu, ai do të takohet me Presidentin e Ukrainës, SH.T. Z. Volodymyr Zelenskyy, Kryetarin e Parlamentit të Ukrainës (Verkhovna Rada), SH.T. Z. Ruslan Stefanchuk, dhe Kryeministrin e Ukrainës, SH.T. Z. Denys Shmyhal.

Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Ukrainës. Ajo synon të avancojë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe të rrisë rolin dhe ndikimin e të dy vendeve si në rajon ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.