Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Ministri Hasani në vizitë zyrtare në Kuvajt: "Shqipëria, mundësi të mëdha për investime – mbështesim bashkëpunimin në sektorë strategjikë"

19/02/2025

Ministri Hasani në vizitë zyrtare në Kuvajt:

Kuvajt, 18-19 Shkurt 2025 – Me ftesë të homologut të tij, Sh.T. Abdullah Ali Al-Yahya, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Kuvajt.

Gjatë vizitës, ai u takua me Sh.T. Sheikh Fahad Yousef Saud Al-Sabah, Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Brendshëm i Kuvajtit, ku diskutuan mbi zhvillimet rajonale dhe forcimin e bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Takimi u fokusua edhe te mundësitë ekonomike dhe tregtare, duke vlerësuar kontributin e Kuvajtit në projektet infrastrukturore në Shqipëri.

Gjatë takimit me homologun e tij, Sh.T. Abdullah Ali Al-Yahya, dy ministrat vunë në dukje marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Kuvajtit, duke diskutuar mundësitë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorë strategjikë. Lidhur me këtë takim, Ministri Hasani deklaroi:

“Ramë dakord për të inkurajuar më shumë shkëmbime në të ardhmen, edhe nëpërmjet vizitave të nivelit të lartë, për të forcuar më tej partneritetin tonë. Përsërita gatishmërinë e Shqipërisë për investimet direkte kuvajtiane, veçanërisht në energji, infrastrukturë, bujqësi dhe teknologji të avancuar. Gjithashtu, nënshkruam bashkërisht një Memorandum Mirëkuptimi për rritjen e bashkëpunimit mes akademive tona diplomatike, me qëllim krijimin e mundësive të trajnimit për diplomatët e rinj”.

Gjatë kësaj vizite dy-ditore, Ministri Hasani zhvilloi takime të rëndësishme në fushën ekonomike dhe tregtare. Në këto biseda, u theksua nevoja për forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional që stimulon rritjen e bashkëpunimit ekonomik-tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kuvajtit. Ministri Hasani gjithashtu theksoi se Shqipëria ofron mundësi të mëdha për investimet e huaja kuvajtiane, duke marrë parasysh popullsinë e saj të re dhe pro-evropiane, legjislacionin e favorshëm për investime dhe pozicionin strategjik gjeografik.