Ministri Hasani nga Luksemburgu: Shqipëria e vendosur të ecë drejt anëtarësimit në BE
di Redazione
14/04/2025
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, po zhvillon sot një vizitë në Luksemburg, ku po merr pjesë në një takim të thirrur me nismën e Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëherazi zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.
Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit diskutuan mbi tema thelbësore si siguria, mbrojtja, sfidat e përbashkëta, procesi i zgjerimit dhe domosdoshmëria për veprim të koordinuar.
Ministri Hasani shprehu se “Shqipëria është një partnere e angazhuar në këto diskutime, ndërsa vazhdon përpara në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Sot në Luksemburg zhvillohet Konferenca e Katërt Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, e cila shënon hapjen e negociatave për grup-kapitullin 2, që ka në fokus Tregun e Brendshëm të BE-së.