Ministri Hasani pret homologen nga Lihtenshtajni: “Forcojmë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve”
di Redazione
12/02/2025
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z. Igli Hasani, priti sot në Tiranë homologen e tij, znj. Dominique Hasler, Ministre e Punëve të Jashtme, Arsimit dhe Sportit të Lihtenshtajnit.
Gjatë takimit u vlerësua pozitivisht partneriteti mes dy vendeve në tre dekadat e fundit, ndërsa të dy ministrat theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare. Gjithashtu, u diskutua mbi mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin në sektorë të rinj, duke e çuar marrëdhënien dypalëshe në një nivel më të avancuar.
“Bazuar në potencialin e dy vendeve tona, me miken time Dominique ramë dakord rreth nevojës për intensifikuar bashkëpunimin ekonomik e tregtar, si dhe rritjen e investimeve. Ne inkurajojmë prezencën në Shqipëri të investitorëve nga Lihtenshtajni në sektorë të ndryshëm si energjia e rinovueshme, infrastruktura, sistemi bankar, ndërmarrjet e vogla e të mesme, etj.”
Gjithashtu, z. Hasani theksoi angazhimin e Shqipërisë për të zgjeruar bashkëpunimin me Lihtenshtajnin në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si dhe në kuadër të forumeve dhe organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë procesin e integrimit evropian.