Ministri Hasani priti homologun çek, duke theksuar mbështetje të pakushtëzuar të Çekisë për integrimin evropian të Shqipërisë
di Redazione
06/03/2025
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani, mikpriti sot në Tiranë homologun e tij, z. Jan Lipavský, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke.
Gjatë takimit, të dy liderët theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke, duke nënvizuar rëndësinë e vijimit të dialogut të hapur dhe të sinqertë politik që zhvillohet çdo ditë.
Diskutimet u përqendruan në fushat e bashkëpunimit dypalësh, si ekonomia, mbrojtja dhe siguria, si dhe zhvillimet e fundit në turizëm, arsimin, kulturën dhe sektorët e tjerë të interesit të përbashkët.
Në një deklaratë për mediat, Ministri Igli Hasani ndau një fakt të veçantë lidhur me rritjen e konsiderueshme të turizmit ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës Çeke.
“Gjatë vitit 2024, mbi 110,000 turistë çekë vizituan Shqipërinë, që përbën një rritje prej 58% krahasuar me vitin 2023 dhe katër herë më shumë se në vitin 2019-të, para pandemisë. Ky trend është një dëshmi e suksesit të bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe një tregues i interesit të përbashkët për promovimin e Shqipërisë si një destinacion i kërkuar turistik dhe kulturor në Evropë”
Gjatë takimit, Ministri Hasani dhe Ministri Lipavský ritheksuan përkrahjen e palëkundur për popullin ukrainas në luftën e tij të drejtë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Po ashtu, ata diskutuan angazhimet dhe prioritetet e përbashkëta në kuadër të organizatave ndërkombëtare, ku të dy vendet janë anëtare, dhe shqyrtuan dinamikat e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
Articolo Precedente
Çmimi i naftës ulet në tregjet ndërkombëtare