Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Ministri Hasani takon Kaja Kallas, nis sesioni i parë i Dialogut për Sigurinë dhe Mbrojtjen

08/04/2025

Ministri Hasani takon Kaja Kallas, nis sesioni i parë i Dialogut për Sigurinë dhe Mbrojtjen

Gjatë vizitës së saj të parë zyrtare në Tiranë, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, gjithashtu Zëvendës Presidentja e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, është pritur nga Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Igli Hasani.

Në këtë takim, janë shqyrtuar disa çështje kyçe, përfshirë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, bashkëpunimin për avancimin e Ballkanit Perëndimor në drejtim të integrimit euro-atlantik, si dhe ruajtjen e paqes dhe vlerave demokratike në Evropë dhe më gjerë.

Ministri Hasani e ka vlerësuar takimin me znj. Kallas si një mundësi të shkëlqyer për të shkëmbyer mendime dhe për të theksuar bashkëpunimin e suksesshëm dhe efikas mes BE-së dhe Shqipërisë në fushat e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes. Ai ka theksuar gjithashtu se Shqipëria ka një angazhim të palëkundur dhe është plotësisht e gatshme për të hapur grup-kapitujt deri në vitin 2025 dhe për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. “Rrugëtimi ynë është i qartë dhe i pandalshëm!” ka deklaruar Ministri Hasani.

Në të njëjtën kohë, në ambientet e MEPJ, u çel edhe sesioni i parë i Dialogut për Sigurinë dhe Mbrojtjen, që është pjesë e Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje, të nënshkruar më parë në dhjetor 2024 ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së.

“Sot po kalojmë nga vizioni drejt veprimeve konkrete. Për një vend si Shqipëria që është plotësisht e linjëzuar dhe besnike me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ky dokument është një shprehje e angazhimit tonë të përbashkët për të punuar edhe më ngushtë së bashku në përballimin e sfidave të ndërlikuara të kohës që po jetojmë. Po ashtu, ai pasqyron qartë progresin e Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në BE dhe rolin në zhvillim që po marrim në arkitekturën kolektive të sigurisë në Evropë.”  – u shpreh Ministri Hasani.