Ministri Hasani zhvilloi një vizitë zyrtare në Ankara, ku u takua me homologun e tij turk, Hakan Fidan
di Redazione
27/02/2025
Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, z. Hakan Fidan, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani realizoi sot një vizitë zyrtare në Ankara.
Gjatë kësaj vizite, ai u prit ngrohtësisht nga homologu turk, z. Hakan Fidan, me të cilin diskutoi në mënyrë të frytshme për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Ata shkëmbyen gjithashtu mendime mbi bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimet aktuale në rajon, Evropë dhe më gjerë.
Lidhur me vizitën zyrtare të zhvilluar sot në Ankara, Ministri Igli Hasani deklaroi:
“Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqja e investitorëve turq në Shqipëri që ofron gjithmonë potencial të lartë e të favorshëm investimi, avancimi i shkëmbimeve tregtare me objektiv shifrën e 2 miliard eurove, dinamikat rajonale e më gjerë për sigurinë e stabilitetin, forcimi i bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, Samiti i VI-të i Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet në Maj 2025 në Tiranë, etj. – ishin disa prej temave që diskutuam me mikun e mirë, Hakan Fidan”.
Në kuadër të zbatimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik, të nënshkruar më 6 janar 2021, ky ishte takimi i tretë i Grupit për Dialog Politik në nivelin e Ministrave të Jashtëm, që po përgatit takimin e ardhshëm të Këshillit të Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit, i cili do të kryesohet nga Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdoğan.
Gjatë vizitës zyrtare në Turqi, Ministri Hasani bëri homazhe në Mauzoleun e Ataturkut, duke vendosur një kurorë me lule në nderim të themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Atatürk.