Ministri i Financave, Petrit Malaj, i pranishëm në Konferencën Rajonale për Auditimin e Brendshëm dhe të Jashtëm
di Redazione
20/05/2025
Ministri i Financave, Petrit Malaj, mori pjesë në Konferencën Rajonale mbi Auditimin e Brendshëm dhe të Jashtëm, organizuar nga Instituti i Audituesve të Brendshëm të Shqipërisë (AIIA), pjesë e rrjetit global IIA.Me temën “Fuqia e Bashkëpunimit”, konferenca bashkoi mbi 300 pjesëmarrës nga rreth 20 vende të Evropës Juglindore dhe më gjerë. Ndër të pranishmit ishte edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Qëllimi i konferencës ishte nxitja e bashkëpunimit ndërsektorial dhe avancimi në zbatimin e standardeve të reja ndërkombëtare të auditimit të brendshëm.
Në fjalën e tij, ministri Malaj theksoi rolin kyç të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm në rritjen e transparencës dhe qëndrueshmërisë institucionale, sidomos në një kohë sfidash si dixhitalizimi, tensionet gjeopolitike dhe presionet ekonomike.Ministri Petrit Malaj theksoi se qeveria shqiptare ka njohur vazhdimisht rëndësinë e një sistemi të fortë të auditimit të brendshëm, si një instrument për të përmirësuar qeverisjen, për të reduktuar rreziqet dhe për të garantuar ofrimin e shërbimeve publike me integritet dhe përgjegjësi.
Ai vuri në dukje përpjekjet e vazhdueshme të ndërmarra ndër vite për forcimin e auditimit të brendshëm në institucionet publike, duke theksuar se qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj rritjes së efektivitetit, pavarësisë dhe profesionalizmit të këtij funksioni në sektorin publik.Ministri gjithashtu vlerësoi rolin aktiv të Institutit Shqiptar të Audituesve të Brendshëm në përhapjen e standardeve ndërkombëtare, promovimin e etikës profesionale dhe mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve të audituesve në Shqipëri.
Në mënyrë të veçantë, ai përshëndeti bashkëpunimin e ngushtë dhe të qëndrueshëm mes Institutit Shqiptar të Audituesve të Brendshëm dhe Drejtorisë së Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm pranë Ministrisë së Financave.
“Audituesit janë më shumë se kontrollues të përputhshmërisë, ata janë partnerë të ndryshimit. Pavarësia, profesionalizmi dhe angazhimi i tyre ndaj integritetit janë thelbësore për të siguruar që institucionet publike dhe organizatat private të funksionojnë në mënyrë efektive, të përgjegjshme dhe të qëndrueshme”, u shpreh Ministri.