Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Ministri Vengu prezanton marrëveshjen me Slloveninë ,do të ketë bashkpunime në raste emergjencash

19/11/2024

Ministri Vengu prezanton  marrëveshjen me Slloveninë ,do të ketë bashkpunime në raste emergjencash

Ministri i Mbrojtjes, z. Pirro Vengu, paraqiti në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme projektligjin për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Sllovenisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin në mbrojtje ndaj katastrofave natyrore dhe të tjera”.

Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e emergjencave civile pritet të përmirësojë ndjeshëm kapacitetet dhe reagimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, duke i aftësuar më mirë për të përballuar situatat e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore apo ato të tjera.

Në bazë të marrëveshjes, ndihma reciproke mund të përfshijë ekipe shpëtimi, ekspertë individualë, pajisje mbrojtëse dhe shpëtimi, si dhe ndihmë humanitare. Për të garantuar reagim të shpejtë dhe efikas në operacionet e mbrojtjes, shpëtimit dhe eliminimit të pasojave të fatkeqësive, marrëveshja parashikon procedura të thjeshtuara për kalimin e kufirit shtetëror nga ekipet e shpëtimit dhe ekspertët, duke respektuar rregullat e hyrjes në fuqi.

Marrëveshja parashikon gjithashtu përdorimin e avionëve dhe anijeve për transportin emergjent të ekipeve të shpëtimit ose ekspertëve individualë, si dhe për pajisjet e ndihmës, mbrojtjes dhe shpëtimit. Përdorimi i avionëve dhe anijeve ushtarake për qëllime të kësaj marrëveshjeje lejohet vetëm me miratimin e shtetit pritës, duke respektuar kushtet e dakorduara mes palëve.