Ministri Vengu takon komandantin e FSK: Shqipëria qëndron përkrah Kosovës për stabilitetin rajonal
di Redazione
22/05/2025
Ministri i Mbrojtjes, z. Pirro Vengu, zhvilloi sot një takim zyrtar me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Në takim ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji. Gjatë bisedës u theksua rëndësia e bashkëpunimit strategjik dhe vëllazëror mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes, si një element kyç për stabilitetin rajonal dhe një drejtim i qartë drejt integrimit euroatlantik.
Ministri Vengu vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Kosovën në fushën e mbrojtjes dhe konfirmoi angazhimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në iniciativa rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë Kartën e Adriatikut (US-A5).
Gjatë takimit u diskutua edhe situata e ndjeshme e sigurisë në rajon. Palët dënuan ashpër aktet terroriste dhe kriminale në veri të Kosovës, si dhe tensionet e vazhdueshme në Bosnje dhe Hercegovinë. Ministri Vengu theksoi se Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë përkrah Kosovës në përpjekjet për garantimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për misionin e NATO-s, KFOR, duke e cilësuar atë si garant të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Ministri Vengu dhe gjenerallejtënant Bashkim Jashari theksuan objektivat e përbashkëta për forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si një forcë moderne dhe territoriale, duke u bazuar në pesë shtylla kryesore: zhvillimi i kapitalit njerëzor, modernizimi dhe rritja e kapaciteteve, industria ushtarake dhe inovacioni, qëndrueshmëria kombëtare (përfshirë mbrojtjen kibernetike dhe civile), si dhe përmirësimi i infrastrukturës kritike.
Bashkëpunimi ushtarak mes Shqipërisë dhe Kosovës po konkretizohet edhe në terren, përmes pjesëmarrjes së përbashkët në stërvitjen ndërkombëtare “Defender Europe 2025”, ku të dy vendet luajnë një rol të rëndësishëm.
Një tjetër pikë me rëndësi strategjike është arsimi ushtarak. Akademia e Forcave të Armatosura e Shqipërisë vijon të ofrojë bursa dhe trajnime për studentët dhe oficerët nga Kosova, ndërkohë që po shqyrtohet mundësia e caktimit të kuotave të veçanta në universitete publike për profile të rëndësishme për mbrojtjen.
U trajtua gjithashtu çështja e përfshirjes së burimeve njerëzore nga diaspora dhe individëve me shtetësi të dyfishtë, si dhe kthimi i profesionistëve me aftësi të larta në Shqipëri dhe Kosovë përmes politikave nxitëse të mirëpërcaktuara.
Plani dypalësh i bashkëpunimit për vitin 2025 parashikon realizimin e 64 aktiviteteve konkrete , përfshirë takime, trajnime, shkëmbime informacioni dhe stërvitje – të cilat tashmë janë në proces zbatimi.