Ministrja Balluku viziton kantierin e Lotit 6 të Unazës së Madhe
di Redazione
14/10/2024
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, realizoi sot një inspektim në kantierin e Lotit 6 të Unazës së Madhe, një segment kyç që lidh zonën e Dajtit me pjesët e tjera të kryeqytetit. Gjatë kësaj vizite, Balluku deklaroi se mbi 70% e punimeve janë përfunduar deri më tani. Ajo shprehu se rëndësia e këtij loti, ku për të shmangur prishjet masive të banesave, rruga e punimeve ka ndjekur përroin e Gjerozës.
"Në këtë segment kemi zgjedhur që të ndjekim shtartin e përroit të Gjerozës për të shmangur prishjen e shumtë të banesave. Nëse do të devijonim majtas apo djathtas, do të kishim një numër shumë më të madh ndërhyrjesh dhe prishjesh. Kjo është një autostradë urbane e kategorisë A, me një shpejtësi maksimale të parashikuar prej 140 km/h," cilësoj Balluku.
Ministrja gjithashtu shtoi se punimet në këtë segment janë planifikuar të përfundojnë para mbarimit të këtij viti, duke premtuar se ky projekt do të ketë një ndikim të madh në reduktimin e trafikut në Tiranë dhe në përmirësimin e qarkullimit mes akseve kryesore që lidhen me kryeqytetin.
"Unaza e Madhe do të ndërlidhet në mënyrë moderne me infrastrukturën kombëtare, si autostradat që përshkojnë kryeqytetin dhe daljet kryesore. Po ashtu, është e rëndësishme të ruajmë standardet e sinjalistikës dhe mobilimit urban, përfshirë ndriçimin dhe gjelbërimin," shtoi Balluku.
Përfundimi i plotë i Unazës së Madhe do të jetë një hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të trafikut dhe modernizimit të rrjetit rrugor të Tiranës.