MSHMS dhe UNFPA nisin një projekt të ri bashkëpunimi, Koçiu: Forcim i mekanizmave kundër dhunës dhe mbështetje për fuqizimin e vajzave dhe grave në 9 Bashki
di Redazione
28/02/2025
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në partneritet me UNFPA dhe me mbështetjen e Qeverisë Italiane përmes Zyrës Italiane të Bashkëpunimit në Tiranë, prezantuan sot një projekt të ri 3-vjeçar që synon luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe praktikave të dëmshme në Shqipëri. Gjatë aktivitetit të zhvilluar në MSHMS, u nënshkrua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit për fuqizimin e grave dhe vajzave në vend, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030. Projekti do të ketë në fokus veçanërisht adresimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbështetjen e vajzave dhe grave, sidomos atyre që jetojnë në zona të largëta.
Projekti synon të forcojë qeverisjen e përgjegjshme gjinore përmes mekanizmave të koordinuar të referimit ndaj dhunës në nivel bashkiak, duke promovuar barazinë, fuqizimin e grave dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, projekti synon të reduktojë dhunën ndaj grave dhe vajzave në 9 bashki: Tiranë, Vlorë, Korçë, Pogradec, Dibër, Klos, Kolonjë, Konispol dhe Selenicë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, theksoi gjatë fjalës së saj se ky projekt 3-vjeçar do të kontribuojë në forcimin dhe ofrimin e shërbimeve të specializuara për viktimat e dhunës, duke përmirësuar më tej kapacitetet kundër dhunës në nivelin e qeverisjes vendore.
“Aktualisht ofrohen 84 shërbime sociale në të gjithë vendin dhe 9 qendra të dedikuara për mbështetjen e viktimave të dhunës, por synimi ynë është të zgjerojmë dhe fuqizojmë më tej këtë rrjet ndihme”, -shprehu Koçiu.
Duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti, Koçiu vuri në pah se projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030. Synimi kryesor është krijimi i një mjedisi ku çdo grua dhe vajzë të jetojë pa frikë, me dinjitet dhe me të drejta të barabarta.
“Dhuna me bazë gjinore mbetet një sfidë serioze, por angazhimi ynë për ta luftuar është më i fortë se kurrë”, -tha ajo.
Në përmbyllje të fjalës së saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, shprehu besimin se bashkëpunimi nën moton “nuk ka asnjë justifikim për dhunën” do të sjellë rezultate konkrete, të qëndrueshme dhe afatgjata. Në eventin e prezantimit të projektit kundër dhunës me bazë gjinore morën pjesë Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, Ambasadorja dhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, Drejtoresha e AICS Tirana, Stefania Vizzaccaro dhe Drejtoresha vendore e UNFPA Shqipëri, Justine Coulson.
“Kjo nismë synon të sigurojë që të gjitha gratë dhe vajzat në Shqipëri të mund të jetojnë një jetë pa dhunë. Ne duhet të vazhdojmë, madje të zgjerojmë bisedën publike për këtë çështje, duke nxitur veprimin kolektiv kundër të gjitha formave të dhunës”.
Articolo Precedente
Lejet e drejtimit të Shqipërisë dhe Kosovës tashmë njihen dhe në Austri