Muzeu Arkeologjik i Durrësit po rilind me një pamje të re!
di Redazione
22/04/2025
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe Kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, vizituan Muzeun Arkeologjik, i cili po merr jetë të re përmes një procesi të gjatë restaurimi dhe transformimi tërësor.
Pas shumë përpjekjeve të pasuksesshme dhe projekteve të papërshtatshme, një pasuri e çmuar e trashëgimisë sonë antike dhe me mbi 2400 objekte ,po i rikthehet dinjitetit. Me përfundimin e restaurimit, ato do të shfaqen në pavione krejtësisht të reja, me ndriçim modern dhe standarde bashkëkohore, ndërsa edhe oborri i muzeut po merr formë të re, duke e kthyer këtë kompleks në një nga destinacionet kryesore të turizmit historik në Shqipëri.
Punimet në Muzeun Arkeologjik përfshijnë jo vetëm krijimin e pavijoneve të reja ekspozuese, të pajisura me ndriçim dhe kushte konservimi sipas standardeve moderne, por edhe transformimin e të gjitha hapësirave të jashtme, përfshirë oborrin, i cili do të shndërrohet në një ambient tërheqës për vizitorë, veprimtari kulturore dhe edukative.
Ky projekt i guximshëm nuk është thjesht një restaurim, por një akt rikthimi të kujtesës historike dhe një investim vizionar për të ardhmen. Me përfundimin e tij, Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme për studiuesit dhe të pasionuarit pas historisë, si dhe në një prej pikave më të spikatura të turizmit kulturor në vend.