Ndahet nga jeta legjenda e futbollit Shkodran Sabah Bizi
di Redazione
16/01/2025
Ndërron jetë në moshën 79-vjeçare legjenda e futbollit shqiptar, Sabah Bizi, i shpallur “Nder i Kombit”. I lindur më 26 janar 1948 në Shkodër, ai u dashurua që në fëmijëri me futbollin, falë afërsisë së shtëpisë së tij me stadiumin. Pasioni për këtë sport u rrit me kalimin e viteve, duke u kthyer në qëllimin kryesor të jetës së tij.
Karrierën e tij e nisi me ekipet zinxhir të Vllaznisë nën drejtimin e trajnerit të njohur Xhelal Juka, për t’u bashkuar shumë shpejt me ekipin e parë të klubit shkodran, ku la gjurmë të pashlyeshme në futbollin shqiptar.
Gjatë karrierës së tij të shkëlqyer, Sabah Bizi u shpall kampion tre herë në sezonet 1971-72, 1973-74 dhe 1977-78. Ai gjithashtu fitoi tri herë Kupën e Republikës, në vitet 1971-72, 1978-79 dhe 1980-81, duke lënë një trashëgimi të rëndësishme në futbollin shqiptar.
Në arenën ndërkombëtare, ai u shqua si një nga lojtarët kryesorë të kombëtares shqiptare. Një nga momentet më të paharrueshme ishte ndeshja legjendare kundër Gjermanisë në vitin 1967, e cila përfundoi 0-0. Në këtë përballje, Bizi, në moshën vetëm 19-vjeçare, u përball me ikonën gjermane Franz Beckenbauer, duke dhënë një paraqitje të jashtëzakonshme. Pavarësisht se ishte i shtruar në spital, trajneri Loro Boriçi i kërkoi të ngrihej dhe të kontribuonte në eliminimin historik të Gjermanisë.
Pas një karriere të lavdishme, Bizi vendosi t’i japë fund aktivizimit në futboll në vitin 1982, kur ishte 34 vjeç.
Articolo Precedente
Miratohet Projektligji për fermerët , Denaj : Zhvillim për sekotrin bujqësor