Nderimi i mësuesve, Manastirliu: Ju meritoni më të mirën, mbështetja për ju është prioritet
di Redazione
07/03/2025
Në kuadër të Ditës së Mësuesit, Ministria e Arsimit dhe Sportit organizoi një ceremoni të posaçme në Pallatin e Brigadave, ku u vlerësuan disa mësues për kontributin e tyre në arsim. Në këtë aktivitet morën pjesë Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, si dhe mësues nga e gjithë Shqipëria.
Ceremonia nisi me interpretimin emocionues të Himnit të Mësuesit nga Kori i Liceut Artistik, duke krijuar një atmosferë të veçantë.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e punës së mësuesve, duke e cilësuar atë si një mision me ndikim të përhershëm në jetën e çdo fëmije dhe në të ardhmen e shoqërisë.
“Në sytë e nxënësve, ju jeni modeli për t’u ndjekur. Në mendjen e tyre, jeni një udhërrëfyes për një të ardhme që ende nuk e njohin. Ndërsa në zemrat e tyre, këtë e dimë të gjithë, zini një vend që pastaj nuk zëvendësohet për gjithë jetën,”
Duke rikthyer në vëmendje sfidat që ka përjetuar sistemi arsimor vitet e fundit, Manastirliu vlerësoi angazhimin e jashtëzakonshëm të mësuesve, të cilët nuk e ndalën punën e tyre edhe në momente të vështira, si gjatë tërmetit apo pandemisë. Ajo nënvizoi gjithashtu reformat dhe investimet që kanë përmirësuar infrastrukturën arsimore në vend.
“Në këto katër vite kemi rindërtuar më shumë se 180 shkolla dhe kemi investuar në 450 institucione arsimore, duke i pajisur me biblioteka, palestra, terrene sportive dhe laboratorë të shkencave,”
Manastirliu vuri theksin edhe te roli i teknologjisë në arsim, duke përmendur investimet në 340 laboratorë inteligjentë dhe trajnimet për mbi 16 mijë mësues. Ajo theksoi se këto iniciativa po ndihmojnë mësuesit të fitojnë aftësi të reja në metodat moderne të mësimdhënies dhe në përdorimin e platformave interaktive për lëndët shkencore.