Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Në Shkodër përkujtohen të rënët e 2 Prillit, Beci: Nderim i përjetshëm për dëshmorët e Demokracisë

02/04/2025

Në Shkodër përkujtohen të rënët e 2 Prillit, Beci: Nderim i përjetshëm për dëshmorët e Demokracisë

Bashkia Shkodër nderoi sot heronjtë e demokracisë në 34-vjetorin e 2 Prillit me një ceremoni pranë memorialit që përkujton këtë ngjarje.

Nënkryetarët Teuta Qyteza dhe Alban Preka, së bashku me kreun e Këshillit Bashkiak, Oltion Luli, vendosën kurora me lule në nderim të katër të rinjve që sakrifikuan jetën për liri.

Gjithashtu, kryebashkiaku Benet Beci përkujtoi sot të rënët e 2 Prillit 1991, gjatë protestës historike kundër diktaturës në Shkodër.

"Respekt përjetë dëshmorëve të demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka!" shprehu Beci pasi postoj një video në formën e një dokumentari.

Më 2 Prill 1991, protestat kundër regjimit komunist në Shkodër kulmuan me humbjen tragjike të katër të rinjve studentë. Demonstratat, që përfshinë mbarë Shqipërinë, arritën pikën më të lartë në kryeqendrën e veriut, ku studentët dhe qytetarët sfiduan hapur diktaturën.

Vrasja e Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës tronditi jo vetëm Shkodrën, por gjithë vendin. Këta të rinj u bënë martirë të demokracisë, duke sakrifikuar jetën për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.