Një dekadë ndryshimesh në Shërbimin Kombëtar të Urgjencës me mijëra misione të suksesshme në shpëtimin e jetëve
di Redazione
21/03/2025
Shërbimi Kombëtar i Urgjencës feston sot 10 vite transformimi, duke kaluar nga një sistem i dobësuar, që dikur nuk garantonte as marrjen e thirrjeve për ndihmë, në një shërbim modern, inovativ dhe të afërt me qytetarët, me mijëra misione të suksesshme në shpëtimin e jetëve.
Me 3.5 milionë thirrje të trajtuara dhe mbi 800 mijë misione të realizuara, ky shërbim është një histori suksesi. Flota e autoambulancave është trefishuar dhe pajisur me teknologji bashkëkohore, duke siguruar ndërhyrje të shpejta dhe të sigurta në çdo cep të vendit.
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, u takuan sot me stafin mjekësor dhe drejtuesit e Qendrës Kombëtare të Urgjencës, të cilët ndanë sfidat dhe arritjet e kësaj dekade ndryshimesh.
"Kujtoj që kur e nisëm ristrukturimin e Urgjencës pati një reagim dhe një rezistencë shumë të çuditshme si për të gjitha gjërat që këtu në Shqipëri përpiqesh të ndryshosh a thua se po shkatërronim ndonjë sistem ekselence botërore. Dhe faktikisht koha shumë shpejtë provoi që kishim të drejtë të besonim që ai sistem e kishte të pamundur të funksiononte. Nuk ishte çështje telefonash që ishin të shekullit të kaluar, nuk ishte çështje makinash që ishin të shekullit të kaluar, ato mund ti ndryshoje por sistemi ishte komplet ineficent. Dhe falë edhe rastësisë që në këtë rast ishte dhe mbreti i suksesit, na u dha mundësia që kemi gatishmërinë e doktor Skënderit, i cili është vërtet protagonisti kryesor i këtij transformimi dhe sot që e shoh me sytë e fillimit, por edhe me nevojat e aktualitetit besoj që është koha që ne të shkojmë më tutje me këtë transformim."