Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Plani Kombëtar i Veprimit, Manastirliu: Fletorja Digjitale informon prindërit në kohë reale

17/02/2025

Plani Kombëtar i Veprimit, Manastirliu: Fletorja Digjitale informon prindërit në kohë reale

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, gjatë një takimi me mësues, psikologë, punonjës socialë, oficerë sigurie, përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Prindërve dhe shoqërisë civile, prezantoi Fletoren e Komunikimit Digjital. Ky mjet i rëndësishëm do të përmirësojë komunikimin, forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e informacionit mes shkollës dhe prindërve, duke u mundësuar atyre akses në informacion në kohë reale përmes SMIP dhe e-Albania.

Fletorja e Komunikimit Digjital është një komponent i Planit Kombëtar të Veprimit, i cili ka filluar implementimin në të gjitha shkollat dhe ka si qëllim forcimin e mekanizmave të sigurisë në shkolla, për të siguruar një ambient gjithëpërfshirës, të shëndetshëm dhe të sigurt për fëmijët tanë në çdo institucion arsimor.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi se Plani Kombëtar i Veprimit është krijuar në bashkëpunim me komunitetin e mësuesve, prindërit, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, duke nxjerrë në pah rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm mes aktorëve kyç në shkolla.

“Planin Kombëtar të Veprimit e hartuam së bashku me komunitetin e mësuesve, të prindërve, të shoqërisë civile dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Kemi ndërtuar tashmë brenda sistemit SMIP një dritare të veçantë që është Fletorja e Komunikimit Digjital, një hap përpara sa i përket informacionit të sigurt, informacionit në kohë reale, jo vetëm nga mësuesi, por edhe nga punonjësi social, psikologu, oficeri i sigurisë në shkolla, që përmes një sistemi të informacionit të digjitalizuar, që tashmë çdo prind e ka përmes e-Albania dhe përmes aplikacionit SMIP, të mundet që të marrë informacion edhe për sjelljen e fëmijës, edhe për talentet, edhe për prirjet, por edhe për problematika që mund të shfaqen në çdo moment dhe për të cilat prindi duhet të jetë i informuar”,

Në fund, ajo theksoi rëndësinë e përdorimit të Fletores së Komunikimit Digjital.

“Ju ftoj që ta përdorni sepse e para, është e sigurt; e dyta, është e gjurmueshme; dhe e treta, orienton veprimet e mëtejshme për çdo rast të evidentuar. Në fund të ditës, kjo rrit besimin aq të nevojshëm të prindërve te shkolla dhe siguria e nxënësve”,shprehu ajo.