Platforma e-Albania: Nis në vitin 2024 asistenca me inteligjencë artificiale
di Redazione
14/11/2023
Platforma qeveritare "e-Albania" është platforma e ndërveprimit për ofrimin e shërbimeve elektronike (portali "e-Albania") që administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe shërben si një portë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri. Procedurat janë më të thjeshta dhe veprimet e kryera online përmes një kompjuteri, tableti apo smartfoni. Gjithnjë duke përdorur platformën e-albania , ato mundësojnë shkarkimin në kohë reale të dokumenteve me vlerë ligjore dhe printimin e tyre.
Kryeministri Rama ka njoftuar qytetarët për risinë që do të ketë kjo platformë vitin e ardhshëm.
Të gjithë shohin përdorimin e inteligjencës artificiale në punë, shkollë, biznes dhe shumë fusha të tjera. Asistenca e ardhur nga AI do të aplikohet dhe në e-Albania. Teknologjia e fundit do të përdoret për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Shqipërisë.
Shërbimi e-Albania sipas tij , do të jetë në xhepin e qytetarëve duke shmangur në këtë mënyrë burokracitë e institucioneve shtetërore. Inteligjenca artificiale do të jetë funksionale përgjatë gjashtëmujorit të fundit të 2024.
Sa më shumë përparon teknologjia, aq më shumë rriten kërkesat për domosdoshmërinë e vendeve të avancuara teknologjike. Digjitalizimi është i paevitueshëm dhe i nevojshëm për të siguruar një shërbim të shpejtë dhe cilësor pa gabime njerëzore siç hasen në përditshmëri nga punonjësit e zyrave të shtetit.
Asistenca nga inteligjenca artificiale do të sjellë uljen e korrupsionit, paaftësisë së burimeve njerëzore dhe mos zvarritjet e procedurave në kohë e vend të një shërbimi që kërkojnë qytetarët.
Platforma e-Albania kështu do të zhvillohet me teknologjinë e personalizuar për çdo qytetar, në shërbim të qytetarëve. Në kohë reale lundrimi në portal do të jetë më i thjeshtëzuar në formë mesazhesh me AI.