Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Policia e Shtetit dhe Autoritetet Britanike thellojnë partneritetin kundër krimit dhe migracionit të paligjshëm

29/01/2025

Policia e Shtetit dhe Autoritetet Britanike thellojnë partneritetin kundër krimit dhe migracionit të paligjshëm

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi një takim me Menaxherin Rajonal të Zyrës së Operacioneve Ndërkombëtare të Ministrisë së Brendshme Britanike, z. Ian Byrne, si dhe Menaxherin Rajonal të Agjencisë kundër Krimit, z. Andrew Clowes.
Gjatë takimit, Drejtues Madhor Ilir Proda vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me agjencitë ligjzbatuese britanike në fusha të ndryshme të policisë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të këtyre agjencive, Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë Britanike ndaj Policisë së Shtetit shqiptar, si në forcimin e kapaciteteve profesionale ashtu edhe në përmirësimin e infrastrukturës logjistike.

Një dëshmi konkrete e kësaj mbështetjeje është edhe dhurimi i pajisjeve me vlerë rreth 30 000 paund për Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, të cilat u dorëzuan gjatë takimit të zhvilluar.

Departamenti i Operacioneve Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe i ka dhuruar Policisë së Shtetit shqiptar pajisje me vlerë rreth 30 000 paund, me qëllim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, si brenda territorit shqiptar, ashtu edhe në pikat kufitare.

Z. Ian Byrne vlerësoi rezultatet e arritura në kuadër të Task Forcës së përbashkët kundër Migracionit dhe falënderoi Policinë e Shtetit për operacionet e përbashkëta të suksesshme. Ai rikonfirmoi angazhimin për të vijuar këtë bashkëpunim dhe për të mbështetur më tej Policinë Shqiptare. Në kuadër të kësaj mbështetjeje, së shpejti pritet të nisë puna për ndërtimin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë, si dhe të dorëzohen disa dronë për Departamentin e Policisë Kriminale.

Menaxheri Rajonal i Agjencisë kundër Krimit, z. Andrew Clowes, vlerësoi bashkëpunimin mes palëve në luftën kundër krimit të organizuar dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur Policinë shqiptare në shkëmbimin e informacionit në kohë reale, me qëllim forcimin e sigurisë për qytetarët e të dyja vendeve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit siguroi dy përfaqësuesit britanikë për angazhimin e vazhdueshëm në forcimin e këtij bashkëpunimi dhe rikonfirmoi vendosmërinë e Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.