Presidenti Begaj i jep mirëseardhje homologut të tij sllovak, Peter Pellegrini
di Redazione
28/03/2025
Presidenti Bajram Begaj priti sot në Tiranë vizitën historike të homologut të tij sllovak, Peter Pellegrini – kryetari i parë i Sllovakisë që viziton Shqipërinë që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Në takim, dy liderët vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë politik dhe ekonomik, diskutuan rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe theksuan përkushtimin e përbashkët për stabilitetin në rajon. Presidenti Begaj u falënderoi veçanërisht për mbështetjen e Sllovakisë gjatë sfidave të mëdha, si pandemia dhe pasojat e tërmetit të 2019-tës.
Begaj shprehu se :“Sllovakia është gjithmonë një mbështetëse aktive dhe nxitëse e vendosur e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ajo ka ofruar asistencë, ekspertizë dhe eksperiencë për proceset integruese të vendit tonë në Bashkimin Evropian. I jemi mirënjohës Sllovakisë për mbështetjen!”, i cili gjithashtu theksoi faktin se momentalisht në procesin e negocimit për anëtarësim vendi po përjeton transformim nga reformat: “Ne jemi të vendosur të avancojmë shpejt dhe besojmë në një proces të bazuar në meritë”.
Gjatë bisedimeve, si në format kokë më kokë ashtu edhe në seancat me delegacione, u vunë në plan prioritetet për përforcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me vlerë strategjike, me qëllim përfitimin konkret të qytetarëve të të dy vendeve. “Në bisedimet tona vumë theksin te nevoja për të rritur dhe zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe lidhjet tregtare midis dy vendeve tona, të cilat, edhe pse kanë rritje vitet e fundit, mbeten në nivele modeste. Vlerësojmë se ka hapësira dhe mundësi konkrete për të thelluar dhe forcuar më tej bashkëpunimin ekonomik të bashkëpunimit dypalësh”, – tha Presidenti Begaj.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, rikonfirmoi se: “Pozicioni i Shqipërisë mbetet i pandryshuar, mbështetës i palëkundur i Kosovës, sepse Kosova është pjesë e stabilitetit dhe kontribuuese e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe patjetër që ne do të jemi mbështetësit e saj për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare, në organizatat ndërkombëtare dhe në punën tonë për të bërë të mundur sa më shumë njohje të reja për Kosovën dhe patjetër për të biseduar edhe me vende të tjera qe nuk e njohin Kosovën për të shikuar alternativa, siç është rasti i Sllovakisë me njohjen e dokumentit të udhëtimit apo me pasaportën që njihet si dokument”.
Duke referuar pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, Presidenti Begaj theksoi domosdoshmërinë e dialogut të vazhdueshëm. Ai shprehu bindjen se procesi i zgjerimit evropian në Ballkanin Perëndimor do të kontribuojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese.