Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Presidenti Begaj mirëpret me nderime zyrtare Mbretin Abdullah II të Jordanisë në Tiranë

02/05/2025

Presidenti Begaj mirëpret me nderime zyrtare Mbretin Abdullah II të Jordanisë në Tiranë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, mirëpriti sot me ceremoni solemne Madhërinë e Tij, Abdullah II bin Al Hussein, Mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, së bashku me delegacionin zyrtar që e shoqëronte. Gjatë takimit, u theksua rëndësia e thellimit të dialogut politik dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, përfshirë nxitjen e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare. Të dy liderët diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin shumëpalësh në nivel global, mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare, qëndrimin e qartë të Shqipërisë kundër çdo forme dhune dhe terrori, si dhe rëndësinë e një zgjidhjeje me dy shtete për paqen në Lindjen e Mesme.

Fillimisht, Presidenti Begaj zhvilloi një takim kokë më kokë me Mbretin Abdullah II, ndërsa më pas u zhvillua edhe një takim i zgjeruar me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të të dy vendeve. Gjatë bisedimeve, Kreu i Shtetit vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore mes Shqipërisë dhe Jordanisë, të cilat mbështeten në respektimin e sovranitetit, interesit të ndërsjellë dhe zhvillimit të bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh. Të dy palët shprehën gatishmërinë për të thelluar këtë partneritet përmes intensifikimit të dialogut politik, shkëmbimit të vizitave dhe përforcimit të bazës institucionale të bashkëpunimit.

Gjatë takimit kokë më kokë dhe më pas në diskutimet me praninë e delegacioneve, të dy palët riafirmuan angazhimin për të forcuar bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare, duke shkëmbyer mendime mbi sfidat dhe perspektivat e agjendës globale.

Presidenti Bajram Begaj vlerësoi rolin thelbësor të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme, duke çmuar posaçërisht përpjekjet e Mbretit Abdullah II në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për çështje sigurie.

Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu përputhjen e qëndrimeve mes Shqipërisë dhe Jordanisë, duke theksuar se zgjidhja me dy shtete mbetet rruga e vetme drejt një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme.

Presidenti Begaj vlerësoi iniciativën e Procesit të Aqaba-s, të udhëhequr nga Jordania dhe Madhëria e Tij Mbreti Abdullah II, si një model efektiv në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ai ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë për hapjen e zyrës ndërlidhëse të NATO-s në Jordani, duke e cilësuar Jordaninë një partner strategjik në krahun jugor të Aleancës.

Në përmbyllje të takimit, Presidenti Begaj e cilësoi Jordaninë si një shtyllë stabiliteti në rajon, duke nënvizuar përkushtimin për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, veçanërisht në mbrojtje dhe siguri, me qëllim përballimin e sfidave të përbashkëta dhe forcimin e vlerave që bashkojnë të dy vendet.

Kjo vizitë zyrtare në Shqipëri u realizua me ftesë të Presidentit Bajram Begaj nga Madhëria e Tij, Mbreti Abdullah II bin Al Hussein, i shoqëruar nga një delegacion zyrtar.