Presidenti Begaj mirëpret nxënësit e shkollës fillore “Mahmut Lekić” nga Komuna e Tuzit
di Redazione
21/05/2025
Një grup nxënësish nga shkolla fillore “Mahmut Lekić” e Komunës së Tuzit vizituan sot Institucionin e Presidentit të Republikës.
Gjatë vizitës, ata patën mundësinë të njihen nga afër me ambientet ku zhvillohen takimet më të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe të mësojnë më shumë për funksionin, vendimmarrjet dhe aktivitetet kryesore të institucionit.
Presidenti i Republikës i uroi mirëseardhjen nxënësve të ardhur nga Tuzi, të cilët e përshëndetën me një këngë tradicionale me çifteli dhe me interpretimin e një poezie patriotike. Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Malit të Zi, duke shtuar: “Me anëtarësimin tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian, kufijtë do të mbeten vetëm në hartë”.
Presidenti Begaj propozoi që institucionet shtetërore të hapin dyert për fëmijët nga të gjitha trevat shqiptare, duke nxitur vizitat e tyre në familjet shqiptare dhe mësimin e historisë në institucionet përkatëse.
Gjatë bashkëbisedimit me ta, Presidenti Begaj u fokusua te leximi, marrja e dijeve përmes shkollës dhe përkushtimi që duhet të ketë secili fëmijë, pasi, siç u shpreh: “Ëndrrat janë të bukura kur punohet për t’i realizuar”.
Presidenti i Republikës përgëzoi drejtorin e shkollës, Luigj Dedvukaj, dhe mësuesen Hana Canaj për përkushtimin dhe dashurinë me të cilën ushtrojnë profesionin e mësimdhënies së gjuhës shqipe. Ai sugjeroi ndjekjen e modelit arbëresh për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës amtare, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e përdorimit të teknologjisë në funksion të mësimit të shqipes.
Presidenti Begaj shprehu besimin se vetëm përmes bashkëpunimit mes institucioneve arsimore të Shqipërisë dhe Malit të Zi mund të ndërtohen projekte të përbashkëta që përmirësojnë cilësinë e arsimit, duke u mbështetur në shkëmbimin e përvojave më të mira.
Articolo Precedente
EURO U-17 në Shqipëri, Čeferin dhe Duka lavdërojnë organizimin e turneut
Articolo Successivo
Vengu: Forcat elitare shqiptare marrin pjesë në stërvitjen “Defender Europe 25”