Presidenti Begaj nderon Kongresin e Lushnjes, një moment historik në rrugëtimin e kombit shqiptar
nga Redazione
21/01/2025
Kreu i Shtetit, Sh.T.Z. Bajram Begaj, përkujtoi sot Kongresin e Lushnjes, një prej momenteve më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Në këtë kuvend historik, mbajtur nga patriotët shqiptarë në datat 21-31 janar 1920, u hodhën themelet e shpëtimit të Shqipërisë nga rreziku i copëtimit dhe u dëshmua para botës rëndësia e bashkimit dhe e pavarësisë.
Në 105-vjetorin e këtij kongresi, Presidenti Begaj thekson vlerën e jashtëzakonshme të vendimeve të delegatëve, të cilët, me guxim dhe vizion, vunë interesin kombëtar mbi gjithçka tjetër dhe dëshmuan aftësinë e shqiptarëve për vetëvendosje.
"Sot, 105 vjet nga Kongresi i Lushnjes, i vetmi autoritet i Shqipërisë me fuqi sovrane, që vetëvendosi aktin themeltar të shtetit duke e shpëtuar vendin nga copëtimi dhe vëllavrasja. Më 21 janar të 1920-ës, patriotët shqiptarë u mblodhën në Lushnje për të ringjallur pavarësinë e vendit, për të mbrojtur ëndrrën dhe sakrificën e Kuvendit të Vlorës."
"Ata sfiduan çdo rrezik, dëshmuan vullnet të epërm në mbrojtje të tokave shqiptare dhe lirisë përballë forcave antikombëtare e atyre pushtuese."
"Shqipëria është ngritur dhe mbrojtur nga njerëz të tillë, nga akte dhe vlera të tilla të larta."
"Shqiptarët do t’i kujtojnë përjetë me nderim të thellë ata."

Artikulli i Mëparshëm
ARRSH u bën thirrje drejtuesve në zonën juglindore , të pajisen me zinxhirë
Artikulli Tjetër
Rama përkujton viktimat e 21 janarit : Drejtësia vonon po nuk harron