Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Presidenti Begaj pret Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s : Shqipëria ka shtuar investimet në sektorin e mbrojtjes

09/04/2025

Presidenti Begaj pret Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s : Shqipëria ka shtuar investimet në sektorin e mbrojtjes

Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s , Admiral Giuseppe Cavo Dragone u prit sot nga presidenti Bajram Begaj i cili i shprehu një falenderim për zgjedhjen e Shqipërisë si vendet e para për bisedim në rajon.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për misionin dhe kontributin e NATO-s, duke vlerësuar rolin thelbësor që Aleanca luan në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit.

Presidenti Begaj theksoi se prania e NATO-s në rajon, si edhe angazhimi i KFOR-it në Kosovë, janë tregues të qartë të rëndësisë që Aleanca i kushton Ballkanit dhe përkushtimit të saj ndaj sigurisë dhe stabilitetit në këtë pjesë të Evropës.

“Të jemi së bashku, të diskutojmë së bashku, të gjejmë zgjidhjet së bashku sepse vetëm nëse jemi të unifikuar dhe bashkë, ne do të jemi më të fortë. Paqja dhe siguria janë dy fjalë magjike jo vetëm për rajonin tonë në kohërat që po jetojmë. Ne duhet të punojmë fort për t’i garantuar ato”, u shpreh Begaj.

Gjithashtu presidenti Begaj theksoj se “duhet të mbështesim Kosovën që të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare dhe të rrisë bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe iniciativave rajonale”.

Presidenti Begaj nënvizoi se Shqipëria ka rritur investimet në fushën e mbrojtjes, po avancon me modernizimin e Forcave të Armatosura dhe ka forcuar praninë e saj në misionet dhe operacionet e NATO-s.

“Është shumë i rëndësishëm investimi në projektet infrastrukturore, si Korridori VIII dhe porti i ri Porto Romano, të cilat realizojnë ndërlidhjen strategjike dhe rrisin lëvizshmërinë ushtarake”, tha Begaj.