Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, mirëpritet në Ulqin

11/02/2025

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, mirëpritet në Ulqin

Ulqini mirëpriti sot Presidentin e Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në një pritje ku morën pjesë drejtues vendorë, përfaqësues të forcave politike, aktivistë dhe qytetarë shqiptarë.

Kryetari i Bashkisë, Genc Nimanbegu, i prezantoi Presidentit Begaj arritjet e komunitetit shqiptar në Ulqin në aspektin politik dhe projektet që synojnë forcimin ekonomik të zonës.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin e shqiptarëve në Mal të Zi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet vendase. Ai nënvizoi se hapja e Konsullatës së Përgjithshme në Ulqin është një akt vlerësimi për komunitetin shqiptar dhe një përgjigje ndaj kërkesave të tyre.

Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e avancimit të projekteve ndërrajonale dhe ndërkufitare me Malin e Zi, duke i cilësuar ato si një hap të rëndësishëm për nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Në këtë kontekst, ai vuri në dukje se ndërtimi i urës që do të lidhë Velipojën me Ulqinin do të reduktojë ndjeshëm distancën mes zonave dhe do të krijojë një bosht të ri ekonomik, turistik dhe shoqëror që lidh Shkodrën, Lezhën dhe Ulqinin.

“Kështu do të shkëmbehemi më shumë me njëri-tjetrin, do të komunikojmë më shpejt e më shumë, do të sjellin zhvillim ekonomik e prosperitet për qytetarët shqiptarë nga të dyja anët e kufirit.”

Në vijim të avancimit të projekteve ndërkufitare, Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e forcimit të ndërlidhjes mes dy vendeve, duke përmendur gazsjellësin TAP, ndërtimin e linjës hekurudhore Shqipëri – Mali i Zi dhe zbatimin e projektit të Autostradës Adriatiko – Joniane. Ai nënvizoi se është thelbësore që bashkëpunimi mes dy vendeve të intensifikohet për të përshpejtuar realizimin e këtyre projekteve strategjike.