Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Primaret e PD-së ,shpallen rezultatet për 12 qarqet e vendit

03/03/2025

Primaret e PD-së ,shpallen rezultatet për 12 qarqet e vendit

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) i afruar Partisë Demokratike bëri publike rezultatet e procesit të primareve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, që u zhvilluan në të gjitha qarqet e vendit.

Sipas informacioneve zyrtare të Partisë Demokratike, në nivel kombëtar, një total prej 50,854 anëtarësh morën pjesë në votim.

Në qarkun e Tiranës, në këtë proces morën pjesë gjithsej 13,052 anëtarë të Partisë Demokratike nga Tirana, ku konkurruan 82 kandidatë. Sipas rezultateve, kandidati më i votuar në qarkun e Tiranës është Hysen Kadiu me 913 vota, pas tij vjen Klevis Balliu me 737 vota, ndjekur nga Grigels Muçollari me 666 vota, Jorida Tabaku me 651 vota dhe Ilir Alimehmeti me 603 vota. Kuota minimale e nevojshme për qarkun e Tiranës është llogaritur në 144 vota.

Në qarkun e Durrësit, gjithsej 4,922 demokratë morën pjesë në votim. Kandidati më i votuar në këtë qark është ish-kandidati për kryetar bashkie, Igli Cara, me 622 vota, i ndjekur nga Manjola Luku me 424 vota dhe Aulon Kalaja me 296 vota. Kuota minimale e llogaritur për qarkun e Durrësit është 126 vota.

Në qarkun e Elbasanit, 3,927 anëtarë të Partisë Demokratike morën pjesë në votim. Kandidati më i votuar në këtë qark është deputeti Dashnor Sula me 538 vota, i ndjekur nga Blendi Himçi me 510 vota dhe Ilirjan Alliu me 409 vota. Kuota minimale e nevojshme për qarkun e Elbasanit është 164 vota.

Në qarkun e Beratit, numri i demokratëve që morën pjesë në votim është 2,044. Sipas të dhënave, Zija Ismajli ka marrë 1,091 vota, Ledion Marra ka arritur 306 vota, ndërsa Erion Dasho ka marrë 238 vota.

Në qarkun e Korçës, gjithsej 4,826 demokratë morën pjesë në votim. Kandidatët më të votuar në këtë qark janë Bledjon Nallbati me 1,219 vota, Ledina Alolli me 394 vota, Andrea Mano me 380 vota, Genti Çela me 334 vota dhe Fidel Kreka me 355 vota. Kuota minimale e nevojshme për qarkun e Korçës është llogaritur në 230 vota.

Në qarkun e Gjirokastrës, 1,957 anëtarë të Partisë Demokratike morën pjesë në votim. Sipas rezultateve, kandidatja më e votuar është Alma Buci me 399 vota. Kuota minimale e llogaritur për qarkun e Gjirokastrës është 178 vota.

Në qarkun e Fierit, numri i demokratëve që morën pjesë në votim është 4,580. Kandidati më i votuar në këtë qark është Eduart Sharka me 795 vota, i ndjekur nga deputeti Luan Baçi me 677 vota dhe deputeti Saimir Korreshi me 477 vota. Kuota minimale e nevojshme për qarkun e Fierit është 191 vota.

Në qarkun e Vlorës, kandidatja më e votuar është Ina Zhupa me 641 vota, e ndjekur nga Atird Hoxha me 482 vota. Kuota minimale për qarkun e Vlorës është 161 vota. Sipas njoftimit të Partisë Demokratike, rezultati nuk përfshin QV Konispol, pasi kutia e saj është konsideruar e parregullt me vendim të KOKOE dhe, për rrjedhojë, nuk përfshihet në rezultatin përfundimtar.

Në qarkun e Lezhës, gjithsej 3,669 demokratë morën pjesë në votim. Kandidati më i votuar në këtë qark është Gjin Gjoni me 674 vota, i ndjekur nga Aleksandër Lala me 438 vota. Dy deputetë të tjerë, Elda Hoti dhe Lindita Metaliaj, kanë marrë përkatësisht 394 dhe 348 vota. Kuota minimale e llogaritur për qarkun e Lezhës është 175 vota.

Në qarkun e Dibrës, gjithsej 4,580 anëtarë morën pjesë në votim. Kandidati më i votuar në këtë qark është Ilir Korsi me 578 vota, i ndjekur nga Denisa Vata me 362 vota dhe Basir Çollaku. Kuota minimale për qarkun e Dibrës është 147 vota

Në qarkun e Shkodrës, gjithsej 4,451 anëtarë morën pjesë në procesin e primareve. Kandidati më i votuar në këtë qark është Ramadan Likaj me 470 vota, i ndjekur nga ish-kryetari i bashkisë, Bardh Spahia, me 386 vota. Kuota minimale e llogaritur për qarkun e Shkodrës është 135 vota.

Në qarkun e Kukësit, numri i anëtarëve demokratë që morën pjesë në votim është 2,640. Sipas të dhënave, kandidati më i votuar është Shkëlzen Ibra me 707 vota, i ndjekur nga Shkëlqim Shehu me 430 vota dhe Isuf Çelaj me 410 vota. Kuota minimale për qarkun e Kukësit është 230 vota.

Rezultatet e grumbulluara nga KOKOE janë dorëzuar kryesisë së Partisë Demokratike për vendimmarrje të mëtejshme.