Proda takon zv.presidentin e policisë çeke : Bashkëpunim i ndërtuar mbi baza besimi
di Redazione
17/01/2025
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, së bashku me Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, gjatë vizitës së tyre zyrtare në Pragë, zhvilluan një takim pune me Zëvendëspresidentin e Policisë Çeke, Gjeneral Major Tomas Kubik. Takimi u organizua pas bisedimeve mes dy ministrave të brendshëm, pasi Presidenti i Policisë Çeke nuk ishte i pranishëm për shkak të një angazhimi të papritur.
Drejtori Proda dhe Gjeneral Major Kubik shprehën të njëjtin vlerësim për bashkëpunimin mes dy institucioneve dhe ranë dakord që ta thellojnë atë më tej. Përveç shkëmbimit të informacionit dhe mbështetjes logjistike për Policinë Rrugore, bashkëpunimi do të zgjerohet edhe në patrullime të përbashkëta gjatë sezonit veror dhe në fusha të tjera të rëndësishme.
"Bashkëpunim i shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë çeke, i ndërtuar mbi baza besimi dhe profesionalizmi, pa barriera komunikimi dhe bashkëveprimi." , thotë Proda.
“Përgëzime për angazhimin, përkushtimin dhe rezultatet e arrira në luftën kundër krimit. Policia çeke ofrohet për të qenë mbështetëse dhe mentore e Policisë shqiptare, për hartimin dhe prezantimin e projekteve të ndryshme, të cilat ndihmojnë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.” , shprehu Kubik.
Nallbati dhe Kubik siguruan Drejtorin Proda se dy Policitë Kriminale do të bashkëpunojnë ngushtësisht, në koordinim me agjencitë ligjzbatuese si Interpol, Europol dhe të tjera, për të hetuar dhe luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave, terrorizmin dhe emigracionin e paligjshëm.
Drejtori Proda nënvizoi se Policia e Shtetit është e angazhuar në një drejtim të qartë: forcimin e bashkëpunimit të ngushtë, profesional dhe të barabartë, të bazuar në besim me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit. Ai theksoi se lufta kundër krimit, që është tashmë një sfidë globale, kërkon domosdoshmërisht bashkimin e forcave, vlerave dhe ideve.
Articolo Precedente
MEPJ përkujton Skëndërbeu në 557-vjetorin e vdekjes së tij
Articolo Successivo
Miratohet Projektligji për fermerët , Denaj : Zhvillim për sekotrin bujqësor