Caricamento...

Tirana Magazine Logo Tirana Magazine

Programi italo-shqiptar i financimit, në mbështetje të rritjes dhe konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

22/05/2025

Programi italo-shqiptar i financimit, në mbështetje të rritjes dhe konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, në bashkëpunim me njësinë menaxhuese të Programit Italo-Shqiptar për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (SME), organizoi një sesion informues të dedikuar për përfaqësuesit e komunitetit të biznesit.

Ky program përfshin një fond prej 30 milionë eurosh dhe synon të mbështesë SME-të përmes kredive me kushte të lehtësuara, duke ofruar një mundësi konkrete për rritjen dhe zhvillimin e tyre.

Në aktivitet mori pjesë edhe zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blerta Rama, e cila vlerësoi rolin e rëndësishëm të sipërmarrjes në procesin e integrimit dhe inkurajoi bizneset që të përfitojnë nga kjo mundësi financimi.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, theksoi rëndësinë që ka përfshirja aktive e bizneseve në këtë nismë, duke e cilësuar atë si një hap strategjik drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Nga ana e tij, drejtori i programit, Gavril Lasku, u shpreh se kjo skemë financimi do të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen teknologjike dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare.

Në aktivitet morën pjesë rreth 30 biznese anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, të cilat u informuan mbi kriteret, kushtet dhe hapat që duhen ndjekur për të aplikuar në këtë program.

Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (SME) përfaqësojnë një komponent kyç në zhvillimin ekonomik të vendit, duke përbërë bazën e sektorit privat dhe një motor të rëndësishëm për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare.